Shtëpi bari në Australi/ Vis Pupa në arrati, bashkëshortja përpara drejtësisë
Belina Pupa, terapiste dhe influencuese e njohur shqiptare me mbi 80 mijë ndjekës në rrjetet sociale, është vënë në qendër të vëmendjes mediatike në Australi, pasi akuzohet për kultivim kanabisi dhe ndërhyrje të paligjshme në rrjetin elektrik.
Sipas autoriteteve, rasti lidhet me një pronë në Ascot Park, ku në periudhën 1 janar deri më 4 prill 2025, janë zbuluar 43 bimë kanabisi. Ngjarja ka çuar në ngritjen e akuzave të rënda ndaj Pupës, e cila u paraqit këtë të martë në Gjykatën e Magjistraturës në Adelaide. Ajo nuk ka dhënë ende një deklaratë fajësie për akuzat që rëndojnë mbi të.
Avokati i saj kërkoi lehtësim të kushteve të lirimit me kusht, duke theksuar se klientja e tij drejton një biznes ndërkombëtar dhe ka nevojë të udhëtojë për punë drejt Shqipërisë. “Ajo punon me klientë në Shqipëri, SHBA dhe Australi dhe kalon rreth tre muaj në vit në Shqipëri, ku është aktive edhe në media”, u argumentua në gjykatë.
Por kërkesa u kundërshtua ashpër nga prokuroria, e cila theksoi seriozitetin e çështjes dhe faktin se bashkëshorti i saj, aktori Elvis (Vis) Pupa, është bashkë-akuzuar dhe aktualisht në arrati. Autoritetet australiane e kanë shpallur atë në kërkim.
Gjykata vendosi që Belina Pupa të mbetet në liri me kusht deri në seancën e ardhshme, që do të zhvillohet javën e ardhshme.