Fri, Jun 6, 2025

Drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni vizitë në Uashington, takon kreun e CIA dhe drejtues të inteligjencës amerikane! Ja temat e diskutimit

  • PublishedJune 2, 2025

Drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni ka udhëtuar në SHBA për të zhvilluar takime zyrtare me drejtues të inteligjencës amerikane.

Mësohet se Hyseni është takuar me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, ku u diskutuan një sërë çështjesh të bashkëpunimit dypalësh dhe u theksua partneriteti i shkëlqyer me SHISH në interes të identifikimit dhe parandalimit të kërcënimeve të përbashkëta.

U shkëmbyen vlerësime mbi situatën e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit, si dhe rritjen e kapaciteteve të inteligjencës.

Vizita në SHBA dëshmon përkushtimin e agjencive respektive për të mbështetur me inteligjencë cilësore dhe paralajmëruese autoritetet e vendimmarrjes strategjike të dy vendeve, për të garantuar sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

Në Uashington DC, Hyseni u takua edhe me drejtues dhe zyrtarë të lartë të Zyrës së Inteligjencës Kombëtare të SHBA (ODNI), të Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe partneritetit strategjik.

Në takimin me Tulsi Gabbard, Drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare të SHBA, u diskutuan çështje të bashkëpunimit dhe sfidat në fushën e inteligjencës e sigurisë, me interes për sigurinë kombëtare të dy vendeve tona.

U shkëmbyen vlerësime mbi zhvillimet me impakt në sigurinë rajonale e ndërkombëtare, angazhimin konstruktiv e konkret për sigurinë kolektive, duke konsideruar SHISH si partner të besueshëm dhe Shqipërinë si faktor stabiliteti në rajon.