Berisha takim me eurodeputetin Rihards Kols: Demokracia në Shqipëri në krizë të thellë, zgjedhjet e 11 majit ishin farsë
Një delegacion i nivelit të lartë nga Partia Demokratike, i kryesuar nga kryetari Sali Berisha, zhvilloi një takim me eurodeputetin Rihards Kols, anëtar i Parlamentit Europian nga Grupi ECR dhe pjesë e Komisionit të Punëve të Jashtme (AFET).
Gjatë takimit, Berisha paraqiti një panoramë të ashpër mbi situatën e demokracisë në Shqipëri, duke theksuar përqendrimin ekstrem të pushtetit në duart e Kryeministrit Edi Rama dhe përndjekjen e opozitës përmes arrestimeve dhe akuzave me sfond politik.
Berisha e cilësoi procesin zgjedhor të 11 majit 2025 si një farsë elektorale, duke e akuzuar qeverinë për:
- Blerje masive votash përmes fondeve publike dhe kontratave të paligjshme;
- Keqpërdorim të të dhënave personale dhe presion elektoral nga rrjeti i patronazhistëve të PS-së;
- Infiltrim të krimit të organizuar në mbi 10 qarqe dhe 20 bashki në mbështetje të kandidatëve të mazhorancës.
Ai denoncoi gjithashtu përpjekjet e Kryeministrit Rama dhe Ministrit të Jashtëm, Igli Hasani, për të ndikuar në raportet paraprake të misioneve ndërkombëtare vëzhguese, përmes presioneve ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë.
Nga ana e tij, eurodeputeti Rihards Kols u shpreh i informuar mbi zhvillimet në Shqipëri dhe shfaqi interes për të ndjekur situatën përmes pyetjeve drejtuar Komisionit Europian, si dhe propozoi ngritjen e një misioni faktmbledhës (fact-finding mission) në Shqipëri për të vlerësuar nga afër realitetin politik dhe zgjedhor.
Në takim u theksua se integrimi i Shqipërisë në BE është i lidhur ngushtë me rikthimin e standardeve demokratike, zgjedhjeve të lira dhe ndarjen e pushteteve, si bazë e një shteti funksional europian.