Kërkohet bileta e finales, Spanjë-Francë “përplasen” në gjysmëfinale të Nations League
Spanjë-Francë do të jetë gjysmëfinalja e dytë e Ligës së Kombeve, nga ku pritet të përcaktohet finalistja e dytë e këtij kompeticioni. Të enjten në Stutgart “La Roja” dhe “Gjelat” do të sfidojnë një tjetrën për të qenë në finalen e madhe të këtij kompeticioni.
Dy fituesit më të fundit të kompeticionit takohen në Stuttgart për një gjysmëfinale të rëndësishme të UEFA Nations League – një përsëritje e finales së sezonit 2020/21 dhe gjysmëfinales së EURO 2024.
Spanja arriti në gjysmëfinale të këtij kompeticioni pas një suksesi dramatik në çerekfinale ndaj Holandës. Pas një barazimi 2-2 në Roterdam, La Roja fituan në penallti 5-4 falë penalltisë fituese të Pedrit pas një ndeshjeje emocionuese 3-3 në Valensia.
Edhe Franca kishte nevojë për ruletën ruse të 11 metërshave për të kaluar në gjysmëfinale, pasi u rikthye nga një disavantazh 2-0 në ndeshjen e parë ndaj Kroacisë. Michael Olise dhe Ousmane Dembélé barazuan rezultatin në Paris, më pas Mike Maignan ndaloi penalltinë vendimtare, ndërsa Dayot Upamecano shënoi golin fitues në një tjetër seri penalltish 5-4.
Tani, fituesi i këtij takimi do të garojë në finalen në Munich Football Arena – ku vitin e kaluar golat e Lamine Yamal dhe Dani Olmo ndihmuan skuadrën e Luis de la Fuente-s të mposhtë Les Bleus.
Luis de La Fuente ka një dilemë në mbrojtje në qendër. Robin Le Normand, Pau Cubarsí dhe Dean Huijsen, do të garojnë për një fanellë titullari, ndërsa në mesfushë mbetet detyra për të sistemuar Pedrin në pozicionin e regjisorit aty ku luan edhe tek Barcelona.
Me shtatë lojtarë të përfshirë në finalen e Champions League mes Parisit dhe Interit, tekniku Didier Deschamps do të duhet të menaxhojë edhe lodhjen në aspektin fizik në këtë fund sezoni për ekipin e tij