Deputeti demokrat takohet me përfaqësues të Bundestagut dhe Asamblesë Parlamentare të KiE: 11 maji kishte parregullsi të rënda dhe ndërhyrje nga organizatat kriminale
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka zhvilluar takime me përfaqësues të lartë ndërkombëtarë, përfshirë anëtarë të Bundestagut gjerman dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për të diskutuar zhvillimet politike në Shqipëri dhe sfidat që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike.
Në një deklaratë për mediat, Balliu bëri të ditur se është takuar me Koloman Brenner, anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, si dhe me Bern Rützel, deputet i Bundestagut gjerman. Gjatë bisedimeve, u theksua rëndësia e forcimit të institucioneve demokratike dhe rritjes së përpjekjeve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Informova bashkëbiseduesit mbi zhvillimet shqetësuese të fundit në vend, përfshirë procesin zgjedhor të datës 11 maj, i cili u karakterizua nga parregullsi të rënda dhe ndërhyrje flagrante të elementëve të krimit të organizuar në funksion të interesave qeveritare,” deklaroi Balliu.
Ai shtoi se Partia Demokratike mbetet e vendosur për të mbrojtur standardet demokratike dhe për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.
Postimi i plotë:
Takim me përfaqësues të Bundestagut dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës: Angazhim i përbashkët për demokracinë dhe integrimin europian.
Ishte një kënaqësi e veçantë të takoja anëtarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, z. Koloman Brenner, si dhe deputetin e Bundestagut gjerman, z. Bern Rützel (SPD).
Gjatë këtij takimi të frytshëm, shkëmbyem mendime mbi rëndësinë thelbësore të forcimit të institucioneve demokratike dhe intensifikimit të përpjekjeve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar — sfida këto që qëndrojnë në themel të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. U theksua mbështetja e qëndrueshme e partnerëve tanë ndërkombëtarë për rrugën europiane të vendit, e cila mbetet e kushtëzuar nga angazhimi ynë i palëkundur për të garantuar sundimin e ligjit, transparencën dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
Në këtë kontekst, informova bashkëbiseduesit mbi zhvillimet shqetësuese të fundit në vend, përfshirë procesin zgjedhor të datës 11 maj, i cili u karakterizua nga parregullsi të rënda dhe ndërhyrje flagrante të elementëve të krimit të organizuar në funksion të interesave qeveritare.
Shpreha angazhimin e plotë të Partisë Demokratike për të mbrojtur standardet demokratike, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të vijuar pa kompromis denoncimin dhe çmontimin e çdo akti korruptiv apo kriminal që cenon të ardhmen europiane të Shqipërisë.