Mon, Jun 9, 2025

Përplasje në Konferencën e Kryetarëve, opozita kundërshton shtyrjen e seancës plenare të propozuar nga socialistët! Bardhi dhe Tabaku ngrenë tonet me Spiropalin: Nuk është pronë e juaja Kuvendi

  • PublishedJune 9, 2025

Përplasje në Konferencën e Kryetarëve, opozita kundërshton shtyrjen e seancës plenare të propozuar nga socialistët! Bardhi dhe Tabaku ngrenë tonet me Spiropalin: Nuk është pronë e juaja Kuvendi

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është shoqëruar me përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës, pas kërkesës së Partisë Socialiste për të shtyrë seancën plenare të Kuvendit të parashikuar për më 12 qershor. Kërkesa u paraqit nga ministrja Elisa Spiropali, por u kundërshtua me forcë nga përfaqësues të opozitës, të cilët e cilësuan të pabazuar dhe një përpjekje për të shmangur përgjegjësitë parlamentare.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, reagoi ashpër ndaj propozimit të mazhorancës duke u shprehur se “Nuk ka asnjë arsye për të shtyrë seancën nga data 12 në datën 16, pasi kalendari është miratuar nga vetë Konferenca e Kryetarëve. Kuvendi nuk është pronë e mazhorancës, nuk është plaçkë e askujt. Ju e keni kthyer në zgjatim të vullnetit politik, dhe kjo nuk mund të pranohet.”

Me ironi, Bardhi iu drejtua Spiropalit duke thënë se “Rrugë të mbarë për atje ku do jesh më 12 qershor. Meqë i ke zgjidhur të gjitha problemet në Shqipëri, shko tani zgjidh edhe konfliktin në Ukrainë.”

Deputetja Jorida Tabaku, dënoi gjuhën e përdorur në seancat e fundit nga përfaqësues të PS-së, duke e cilësuar si përçarëse dhe në kundërshtim me standardet e kërkuara për integrimin në Bashkimin Europian.

“Gjuha e përdorur është përçmuese ndaj kundërshtarit dhe nuk përfaqëson standardet europiane. Foltorja e Kuvendit nuk mund të përdoret për gjuhë ndarëse. Kjo nuk është gjuha që kërkon integrimi,” u shpreh Tabaku.

Ajo shtoi se zhvillimet e fundit në Kuvend përbëjnë një regres në përmbushjen e detyrimeve të integrimit “Që prej marrjes së drejtimit të Kuvendit nga mazhoranca, kemi parë hapa pas në funksionimin e Këshillit të Integrimit, Komisionit të Posaçëm dhe në procesin elektoral. Zgjedhjet janë kriteri i parë për integrimin dhe ky kriter është shkelur.”