Shqipëria, kthim në Beograd për historinë, UEFA tenton të shmang trazirat në sfidën e kuqezinjve ndaj Serbisë
Jo në Leskovac sikundër përflitej prej kohësh, por Serbi-Shqipëri do të rikthehet të luhet sërish në Beograd.
Ka qenë vetë Federata serbe e futbollit e cila ka zyrtarizuar vendimin për stadiumin ku do të presë Kombëtaren shqiptare. Do të jetë stadiumi i Beogradit, “Rajko Mitiç”, që do të shërbejë për sfidën ndaj Anglisë, më 9 shtator dhe atë përballë Shqipërisë, më 11 tetor.
“Rajko Mitiç” është stadiumi më i madh i Beogradit me 51700 ulëse, që shërben dhe si shtëpia e Crvena Zvezdës. Kështu Shqipëria do të rikthehet në Beograd pas 11 vitesh, por këtë herë jo në stadiumin e Partizanit të Beogradit ku flamuri Autochthonous u valëvit.
“Federata e Futbollit të Serbisë njofton publikun se ndeshjet kualifikuese të Serbisë kundër Anglisë më 9 shtator dhe kundër Shqipërisë më 11 tetor do të luhen në stadiumin “Rajko Mitiç” në Beograd, ndërsa për ndeshjen e fundit kundër Letonisë është përzgjedhur stadiumi në Leskovac.
Pas një analize të detajuar, që përveç aspektit sportiv përfshiu edhe organizimin dhe sigurinë, si dhe konsultimet me UEFA-n, është arritur në përfundimin se stadiumi “Rajko Mitiç”, si objekti më i madh futbollistik në vend, do t’i ofrojë përfaqësueses sonë kushte optimale për zhvillimin e ndeshjeve të rëndësishme”, shkruajnë serbët.
Ndërkohë lajmi për rikthimin e sfidës së shumëpritur Serbi-Shqipëri në Beograd ka zënë edhe hapësirën kryesore të së përditshmes më të madhe sportive në Shqipëri, që ditën e sotme është hapur me titullin kryesor: Shqipëria, kthim në Beograd për historinë
