Pritet vetëm zyrtarizimi, Liverpool mbyll marrëveshjen me “Aspirinat”, Florian Wirtz transferohet në Anfield
Kampionët e Premier League, Liverpool ka arritur marrëveshje me Bayer Leverkusen për të siguruar shërbimet e yllit të kombëtares gjermane, Florian Wirtz. Dy klubet kanë rënë dakort për shifrën 116 milionë paund për kartonin. Fillimisht “The Reds” do të paguajë 100 milionë paund dhe 16.5 milionë paund të tjera do te jenë në formë bonusesh, që mund të aktivizohen vetëm nëse Liverpool arrin një sukses të madh. Në këtë mënyrë ky transferim do të ishte më i shtrenjti në Britani, rekord që e mbante Chelsea, fillimisht me blerjen e Enzo Fernandez nga Benfica në vitin 2023. Dhe më pas me afrimin e Moises Caicedo, i cili u ble per 115 mln paund.
Megjithatë aktualisht Wirtz është blerja më e shtrenjtë në historinë e Liverpool, i cili fitoi garën për 22-vjeçarin me ekipe të mëdha si Manchester City dhe Bayern Munich, por ishte vetë lojtari që kishte shprehur dëshirën për të veshur fanellën e të kuqve.
Wirtz bëhet lojtari i dytë që largohet nga Bayer Leverkusen këtë verë drejt skuadrës angleze, sepse fillimisht ishte mbrojtësi Frimpong, i cili i kushtoi Liverpoolit 34 milionë paund.
Wirtz debutoi me Leverkusen në moshën 17-vjeçare, ku në 197 ndeshje të luajtura ka shënuar 57 gola dhe ka ndihmuar Bayer Leverkusen të fitojë titullin kampion në Bundesligë në 2024 për herë të parë në histori.