Sun, Jun 15, 2025

U kap me armë, kokainë dhe ekstazi në makinë, 38-vjeçari i arrestuar në “Ali Dem”, anëtar i bandës së Gjergj Cukalit

  • PublishedJune 14, 2025

U kap me armë, kokainë dhe ekstazi në makinë, 38-vjeçari i arrestuar në “Ali Dem”, anëtar i bandës së Gjergj Cukalit

Detaje të reja dalin nga aksioni i policisë në Tiranë ku një 38-vjeçar u vendos në pranga pasi qarkullonte me armë dhe drogë me vete në makinë.

Mësohet se 38-vjeçari i arrestuar është Krisald Kundraxhi, anëtar i bandës së Gjergj Cukalit.

“Gjatë operacionit, në rrugën “Ali Demi” shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin K. K dhe pasagjer shtetasin J. K.

Gjatë kontrollit fizik dhe më tej të banesës së shtetasit K. K. iu gjetën 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, një sasi prej 304 gram lëndë narkotike kokainë, rreth 131 tableta ekstazi, 3 peshore elektronike si dhe pjesë arme”, njoftuan blutë.

I arrestuari Krisald Kundraxhi është arrestuar edhe me parë për të njëjtat vepra penale.

Në vitin 2016, ai u vendos në pranga nga policia e Tiranës bashkë me të fortin e Myslym Shyrit, Gjergj Cukalin.

Veç Cukalit, blutë në atë kohë arrestuan edhe Artur Tarjen, Muharrem Kallushin, Vjollca Gjokën, Gentian Balliun, Armand Gjokën, e Krisald Kundraxhiun.

Njoftimi i policisë: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Check Point”.

Qarkullonte me armë zjarri pistoletë dhe lëndë narkotike, në një automjet, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 38-vjeçari.

Vihet në pranga dhe pasagjeri i automjetit, për moskallëzim krimi.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, municion luftarak, një sasi prej 304 gram lëndë narkotike kokainë, rreth 131 tableta ekstazi, 3 peshore elektronike dhe automjeti.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në  vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë apo lëndë narkotike, mbi bazën e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Check Point”.

Gjatë operacionit, në rrugën “Ali Demi” shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin K. K dhe pasagjer shtetasin J. K.

Gjatë kontrollit fizik dhe më tej të banesës së shtetasit K. K. iu gjetën 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, një sasi prej 304 gram lëndë narkotike kokainë, rreth 131 tableta ekstazi, 3 peshore elektronike si dhe pjesë arme.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit:

K. K., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

J. K., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit’.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.