Zjarr pranë një qendre rezidenciale ku strehohen persona me aftësi ndryshe, zbardhen detajet e para! Shpallen në kërkim autorët
Një zjarr është shënuar sot në afërsi të një qendre rezidenciale në qytetin e Beratit, ku strehohen persona me aftësi ndryshe. Ngjarja ka alarmuar banorët dhe stafin e qendrës, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar apo dëme materiale.
Sipas të dhënave paraprake, persona ende të paidentifikuar kanë vendosur disa goma në afërsi të qendrës dhe më pas u kanë vënë flakën. Zjarri ka krijuar një situatë të rrezikshme për banorët dhe stafin, pasi tymi i dendur dhe retë e zeza mbuluan zonën, duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme mjedisore.
Në vendngjarje ndërhynë menjëherë shërbimet zjarrfikëse, të cilat arritën të lokalizojnë dhe të shuajnë flakët në një kohë të shkurtër, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit drejt qendrës.
Policia e Beratit ka nisur hetimet dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar të zjarrvënies, të cilët akoma nuk janë zbuluar.