Ishte planifikuar për ditën e hënë, anulohet dasma e djalit të Netanyahut pas përshkallëzimit të tensioneve Izrael-Iran
Përshkallëzimi i tensioneve mes Izraelit dhe Iranit ka çuar në anulimin e dasmës së djalit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që ishte planifikuar të mbahej ditën e hënë.
Sipas “Times of Israel”, Avner Netanyahu dhe e fejuara e tij Amit Yardeni kishin parashikuar të kurorëzonin dashurinë e tyre në një ceremoni private në kibucin Yakum, por situata e rënduar e sigurisë dhe reagimet e forta në opinionin publik detyruan çiftin të shtyjnë ceremoninë.
Dasma kishte ngjallur polemika të mëdha, pasi shumë qytetarë dhe lëvizje kundër qeverisë e konsideruan të papërshtatshme organizimin e saj, në një kohë kur shumë izraelitë ndodhen ende peng në Rripin e Gazës, që prej sulmeve të Hamasit në tetor të vitit të kaluar.
Masat e sigurisë për dasmën kishin qenë ekstreme, me rrethim me tela me gjemba në një perimetër prej 100 metrash dhe mbyllje të hapësirës ajrore mbi zonë në një rreze prej 1.5 kilometrash. Ceremoninë ishte planifikuar ta drejtonte ish-kryerabini i Izraelit, Meir Lau, ndërsa çifti kishte vendosur të mos ftonte figura politike, për të shmangur tensionet në një moment të ndjeshëm për vendin.
Zyra e kryeministrit nuk ka bërë ende një koment zyrtar mbi anulimin, por burime pranë familjes Netanyahu bëjnë të ditur se vendimi është marrë për shkak të situatës së pasigurt dhe për të shmangur çdo provokim publik.
Ndërkohë, protestuesit kundër qeverisë vijojnë të akuzojnë Netanyahun për mungesë ndjeshmërie dhe përqendrim të prioriteteve personale në një kohë krize kombëtare.