Sun, Jun 15, 2025

Shqipëria pret Ministerialin e SEECP më 16 qershor, kryeministri Rama: Vendi ynë sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare

  • PublishedJune 14, 2025

Shqipëria pret Ministerialin e SEECP më 16 qershor, kryeministri Rama: Vendi ynë sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare

Shqipëria do të jetë mikpritëse të hënën, më 16 qershor 2025, e Ministerialit të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (SEECP), një nga forumet më të rëndësishme rajonale që synon forcimin e stabilitetit, bashkëpunimit dhe integrimit europian të vendeve të Ballkanit.

Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale e vlerësoi këtë ngjarje si një tjetër dëshmi të rolit aktiv të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare.

“Shqipëria, sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare. Më 16 Qershor 2025 zhvillohet Ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore #SEECP.
Vendi ynë është i angazhuar plotësisht për të nxitur përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE,” shkroi Rama.

SEECP, një forum i rëndësishëm rajonal

Procesi i Bashkëpunimit në Europën Juglindore (SEECP) përbëhet nga 13 vende pjesëmarrëse: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Kosova dhe Turqia. Të gjitha këto shtete janë gjithashtu anëtare të Bordit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Ky forum ka si qëllim kryesor forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes vendeve të Europës Juglindore, si dhe transformimin e rajonit në një zonë paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi, me synimin final: integrimin e plotë të rajonit në strukturat europiane dhe euroatlantike.

Ministeriali i radhës në Tiranë pritet të trajtojë sfidat aktuale rajonale, përfshirë zhvillimet gjeopolitike, ekonominë, sigurinë energjetike dhe rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.