evropian-ne-2027-bsh-ja-kushtet-qe-duhet-te-permbushim-fillimisht/ – Gazeta Shqiptare Online
Shqipëria ka mundësi reale të përmbyllë të gjitha kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027, por kjo kërkon angazhim të fortë dhe përmbushjen e kushteve të caktuara.
Numri 2 i Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj në një intervistë për mediat ka vënë në dukje se ky objektiv është i realizueshëm nëse punohet intensivisht, veçanërisht në fusha si parandalimi i pastrimit të parave dhe përputhja me standardet e BE-së. Një hap i rëndësishëm është përfshirja në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), e cila pritet të bëhet funksionale më 5 tetor 2025. Megjithatë, për të arritur këtë objektiv, është i nevojshme një bashkëpunim i ngushtë midis institucioneve teknike dhe politikave të qëndrueshme, duke përfshirë një angazhim të fortë nga qeveria dhe mbështetje nga shtetet anëtare të BE-së.
KAPITUJT
Shqipëria është në miljet e fundit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në çdo negociatë europiane, pas deklaratave politike gjendet puna e institucioneve teknike. Ndër to, Banka e Shqipërisë zë vend kyç në përgatitjen e sistemit financiar dhe institucional për standardet që kërkon Bashkimi Europian. Si autoritet qendror monetar, ajo është e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në 9 kapituj, në dy prej të cilëve si udhëheqëse. Po sa i mundur është objektivi për të përmbyllur me sukses të negociatave brenda vitit 2027? “Për mendimin tim, 2027-a është një objektiv që natyrisht do të kërkojë një punë të sforcuar. Dhe kujtoj se kjo punë e sforcuar është krahas detyrave tona të përditshme, por është absolutisht e realizueshme”, thotë Natasha Ahmetaj, zëvendësguvernatore e dytë e Bankës së Shqipërisë. “Mundësitë e kushtëzuar nga sfidat” në rrugën e vështirë të anëtarësimit në “union” me objektiv ambicioz vitin 2030 pranohen edhe nga përfaqësuesit më të lartë të Bankës Qendrore. Për një “po” në vend të një “jo”-je, vendi duhet fillimisht të përmbushë disa kushte. “Qoftë për lëvizjen e flukseve në ekonominë reale, qoftë për lëvizjen e flukseve financiare… duket të realizohen duke përmbushur të gjitha kërkesat e Moneyval për t’u siguruar se të gjitha këto bëhen sipas standardeve që parandalojnë pastrimin e parave”,- thotë Ahmetaj. Shqipëria në përgjithësi dhe qytetarët e bizneset në veçanti do të fitonin shumë nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian. “Shqipëria në një treg të madh. Janë të gjitha teoritë ekonomike që e argumentojnë se pse është më mirë të jesh pjesë e një tregu konkurrencial nëse standardet e tua të mundësojnë të marrësh pjesë në atë treg”.
SEPA
Përfshirja në Zonën Unike të Pagesave në Euro është një ndër shembujt. Zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj tregon edhe datën kur do të mund të dërgohen e merren para me kosto ndjeshëm më të ulët. “Ne tashmë jemi anëtarë të zonës SEPA dhe të gjitha bankat kanë paraqitur aplikimet e tyre, të pranuara sigurisht. Jemi thjesht në pritje të afatit procedural për këtë qëllim që është data 5 tetor. Besojmë se data 5 tetor është data e parë që transaksionet sipas standardeve SEPA do të jenë operacionale”, thotë Ahmetaj. Roli i Bankës së Shqipërisë mbetet teknik dhe afatgjatë: përgatitja e kornizave monetare, financiare dhe institucionale që përmbushin kriteret e BEsë. Në fazat përmbyllëse të negociatave, kjo punë pa jehonë të madhe publike krijon themelin e nevojshëm për një sistem financiar të qëndrueshëm dhe funksional pas anëtarësimit./Gazeta Panorama