Ëndrra “e shuar” e Botërorit?
BESNIK DIZDARI
1. I rëndë ky titull. Po a e njihni rregulloren për të shkuar në finalet e Botërorit 2026? Shikoni sa e pamëshirshme që është:
Në finalet drejtpërdrejt shkojnë 12 skuadrat që zënë secila vendin e parë në grupet përkatëse. Është fjala për kualifikimet e Europës.
E pra, a e zë vendin e parë në Grupin K, Shqipëria, e cila ka zhvilluar gjysmën e ndeshjeve, plot 4? Që do të thotë se i duhet të mposhtë Anglinë e madhe. E, Anglia kryeson me 9 pikë të plota dhe është bukur 4 pikë mbi Shqipërinë. Dhe ka 1 ndeshje më pak se Shqipëria. Ta do mendja se puna e vendit të parë në grup për Shqipërinë thuajse ka marrë fund qysh tash. Këtu “ëndrra” duket si e shuar.
Kalojmë te mundësitë e tjera. Njëra është ajo e zënies së vendit të dytë në grup ku ndodhet tani për tani Shqipëria. Ka 5 pikë, 1 më shumë se Serbia dhe Letonia. E, Serbia ka zhvilluar vetëm 2 ndeshje, ndërsa Shqipëria 4. Madje edhe Letonia ka zhvilluar 1 ndeshje më pak se Shqipëria (3) dhe ka po 4 pikë sa dhe Shqipëria.
Kaq mjafton për të kuptuar se sa e vështirë është bërë zënia e vendit të dytë, ndonëse mund të mos jetë e pamundur.
Dhe shihni se çka thotë më tej kjo rregullore e pamëshirshme e kualifikimit: Mbasi kalojnë drejtpërdrejt në finale, 12 ekipet e para të grupeve, mbeten vetëm edhe 4 kualifikime të tjera për të plotësuar numrin e 16 të shteteve pjesëmarrës në finalet nga Europa. Dhe ja si i kualifikon rregullorja e pamëshirshme këto 4 shtete të tjerë që, me 12-shen e vendeve të para në 12 grupet, do të përbëjnë 16 kombëtaret e Europës në finalet e Botërorit 2026:
“Në ndeshjet eliminatore shtesë”, – thotë kjo rregullore – “do të marrin pjesë 12 skuadrat e dyta të 12 grupeve si dhe katër fituesit më të mirë të grupeve nga Liga e Kombeve UEFA 2024/25, të cilat nuk arrijnë të përfundojnë të parët ose të dytët në fazën e 12 grupeve kualifikuese. Formohet kështu një 16-she skuadrash, të cilat, duke u ndarë në 4 grupe eliminatore me nga 4 skuadra, do të luftojnë pra, për vetëm 4 vende të tjera kualifikuese që do t’i çojnë në finalet amerikane”. Për t’u plotësuar kështu, numri i 16 shteteve finaliste nga Europa.
Merreni me mend ndërkaq, se çfarë suksesi do të ishte nëse Shqipëria jonë e dashur, përmes këtyre eliminatoreve të kësaj 16-sheje, të arrijë të jetë njëra prej të katërtave të tjera të kualifikuara! Ky do të ishte suksesi më i madh në krejt historinë e futbollit shqiptar.
Ndërkohë, kujtojmë se Shqipëria nuk ishte një nga katër më të mirat e Ligës së Kombeve. Madje Shqipëria zuri vendin e fundit në grupin e saj edhe pse ishte një grup jo kushedi se çka. Shqipëria humbi 1-2 në Ukrainë, 0-1 me Gjeorgjinë në Tiranë, 0-2 në Çeki, arriti vetëm 1 barazim 0-0 me çekët në Tiranë, por fitoi 1-0 në Gjeorgji dhe 2-1 në Ukrainë. Për një çast nuk të dukej një bilanc fort i keq, mirëpo Shqipëria mbeti e fundit në grup me 7 pikë, nga 18 të mundshme. Po aq sa dhe Gjeorgjia që zuri vendin e tretë. Kjo zënie e vendit të fundit në grup te Liga e Kombeve, do të thotë se Shqipëria nuk fiton asnjë plus më tepër për në eliminatoret e sipërpërmendura të Botërorit 2026.
E pra? Ëndrra “e shuar” e Botërorit?…
Kjo retorikë jo fort optimiste, më vjen ngaqë, kahdo që ta marrësh, ma bën gjithçka shumë të vështirë, ndonëse teorikisht ende jo të pamundur. Shqipëria detyrimisht duhet të renditet e dyta në Grupin e saj K, në të cilin ka zhvilluar gjysmën e ndeshjeve. Vetëm kështu ajo mund të shkojë te 16-shja shpresuese, e mandej të mësojë se cilat do të jenë tri rivalet e saj në një grup me 4 skuadra ku vazhdojnë ndeshjet kualifikuese apo eliminuese. E mu në këtë çast lind vështirësia tjetër e madhe: nëse arrin deri këtu, për të shkuar te Botërori 2026, Shqipërisë do t’i duhet të zërë vendin e parë në grup, e mandej të, shohim se cili do të jetë fati të saj në ndeshjet vazhduese me eliminim të drejtpërdrejt të kësaj 16- sheje prej ku do të dalin katër finalistet e tjerë nga Europa.
Nuk është e vështirë, është tmerrësisht e vështirë. Një histori kjo, vërtet tejet ëndërrimtare për Shqipërinë. Ndonëse kësaj radhe ajo kishte një favor më tepër: është rritja e finalistëve në 48 skuadra.
Pra, jo vetëm 24 skuadra si më 1984, kur Shqipëria e Shyqyri Rrelit dhe e Medin Zhegës, gati që duke shkuar në finalet: 2-2 në Poloni e 2-0 Belgjikës dhe shtypi i Europës që e quajti Shqipërinë mëtuese për të shkuar në finalet e një Botërori që ishte Meksika 1986. “La Gazzetta dello Sport” pat përcaktuar kështu: “Fitorja (me Belgjikën) i lejoi Shqipërisë që të bashkohet në krye të grupit me dy rivalët e mëdhenj, të cilët tashmë shohin tek ajo një rival të tretë të papritur e të rrezikshëm”. Të tre të barabartët pretendues kishin këta emra: Poloni, Belgjikë, Shqipëri.
Ky “rekord” është ende i pashlyeshëm për ne në kualifikimet e një Botërori. Ka qenë saktësisht dita e 22 dhjetorit 1984. Dhe nuk ka qenë një Shqipëri si sot me lojtarë të Interit të Italisë, Evertonit të Anglisë apo të Glaskout britanik të Skocisë. Ka qenë një Shqipëri me lojtarë të 17 Nëntorit të Tiranës, Vllaznisë së Shkodrës dhe Partizanit e Dinamos të Tiranës…
2. Nuk do t’i hyj tash e të përimtoj këto 4 ndeshje të para të Shqipërisë. Këto sapo janë “përimtuar” diku mirë e diku jomirë, sidomos në studio të pafund televizive, për fat jo nga gazetarë, por kryesisht nga trajnerë e ishfutbollistë. Ajo që dëshiroj të prek këtu është diçka tjetër.
Dihet mirë ndërkohë, se Kombëtarja e sotme e Shqipërisë ka mbërritur dy suksese fort të mëdha, duke u bërë dy herë (2016 e 2024) pjesë e finaleve të Kampionatit të Europës. Njërit prej të cilëve madje, atij të EURO 2016, i kam kushtuar një libër të posaçëm me titullin “Shqipëria Europiane e Gianni De Biasi-t”, ku jam përpjekur të tregoj një histori të bukur, por pa asnjë lloj toni euforik. Kësisoj, ngaqë përveç të tjerave, ky libër është një histori kritike, e zhanrit të kuptimit më të mirë të këtij përcaktimi.
Mirëpo, si ka mundësi që sot, për më shumë se një javë të tërë, parandeshja e tashme me Serbinë të ushtonte anë e kënd deri dhe në emisionet kryesore të lajmeve televizive? E, nga ana tjetër, si ka mundësi, që e pakta nja 3 apo 4 ditë para ndeshjes së Tiranës, gazeta e kryesore “Sportski Zurnal” e Beogradit nuk denjonte të kishte as edhe një resht të vetëm për ndeshjen me Shqipërinë? Ec e gjeje. Ajo që gjendet menjëherë është kjo tjetra që na thotë se jeta shqiptare mbase është disi e varfër, pa shumë ngjarje, pa shumë dimensione kulture, pa shumë pasuri sociale, madje. Dhe sa mirë që po vjen Serbia, që t’i tregojmë vendin, e pse jo, edhe të marrim hak, meqë edhe presidenti serb Vuçiç – i një nacionalizimi të sëmurë po serb – “dha urdhër” për të mundë Shqipërinë!
Dhe ja, që dashur apo padashur qëndroj te retorika ime: “Endrra “e shuar” e Botërorit”?
E megjithatë… Megjithatë stadiumi i Tiranës, me ndonjë përjashtim të vogël, tregoi një publik të kulturuar, mbështetës të fortë të skuadrës së tij. Pse jo, shijues i futbollit të vërtetë. E mandej çasti kur trajnerë e lojtarë u ndanë fort miqësisht mbas mbarimit të ndeshjes. Ndonëse një nga fëmijët shqiptarë, bashkëshoqërues të 11-shit të Serbisë të rreshtuar për ceremoninë e fillimit të ndeshjes, në naivitetin e tij “guxoi” e ia bëri mu në fytyrë shqiponjën përmes duarve, futbollistit të madh Vllahoviç, i cili këtë gjest e priti pa bëza e me një vështrim serioz. Sjellje prej profesionisti të vërtetë të futbollit. Dhe foto e këtij episodi që mori dhenë në shtypin serb…
E vërteta është se futbolli kurrë nuk ka qenë vetëm sport, ndonëse ne kërkojmë që ai të jetë vetëm sport. E pra, a duhet Shqipëria, madje me një lloj “propagande” euforike, të buçasë me “thirrjen” për të shkuar me çdo kusht në Botëror? Ndonëse dihet që sigurisht në futboll shkohet për të fituar, madje jo vetëm ndaj më të dobëtëve apo të barabartëve, por edhe ndaj më të fuqishmëve. Kombëtarja e Shqipërisë ia ka arritur kësaj disa herë.
E prap nuk duhet harruar se kualifikimet kurrë nuk janë qëllimet apo vlerat kryesore në futboll. Ka dhe qëllime, vlera a synime të tjera që mendoj se në fund të fundit, fshihen mbas sentencës që na thotë se “futbolli është gjëja më e rëndësishme e dorës së dytë”. Edhe kjo thënie vetvetiu të çon te gjykimi i futbollit si një shfaqje, si një spektakël i përjavshëm gëzimplotë, pavarësisht nga kualifikimet apo moskualifikimet, nga fitoret apo humbjet. Këtu është forca dhe vetë filozofia e këtij sporti që ka pushtuar botën.
Kësisoj edhe kur ndodh që kualifikimet e mëdha, qoftë dhe si ato që mbërriti Shqipëria në Europiane, i japin një forcë po spektakolare gëzimit e haresë popullore futbollistike. Veç gjithmonë pa harruar se përveç rezultatit, ia vlen t’ia shijosh futbollin mbi të gjithanë bukurinë e tij, larminë, harmoninë e lojës, stilin e teknikës, pse jo, edhe atë që i thonë “dueli taktik” i 90 minutëshit e plot të tjera.
Dhe shkojmë më tej.
Është e vërtetë që sot në Kombëtaren e Shqipërisë nuk luajnë as dhe vetëm 1 apo 2 lojtarë, të cilët i ka lindur futbolli i tokës shqiptare. Nuk është mirë që kemi mbërritur deri këtu. Për fat të keq kjo ndodhi deri me “rekordin” e këtyre ditëve të fundit, ku Shqipëria e 17-vjeçarëve nuk pati asnjë futbollist të lindur në truallin shqiptar.
Dhe është po e vërtetë që sot, pavarësisht nga kjo “etni” fort origjinale, lojtarët e sotëm shqiptarë të ekipeve kombëtare, vijnë nga troje joshqiptare, prej klubeve të shquar të shteteve të tjera të Europës.
E pra, po deshët ejani të diskutojmë, teksa po guxoj të pohoj këtu se kjo Kombëtare e sotme, nuk ka asnjë lojtar në nivelin e Panajot Panos, Lin Shllakut apo Sabah Bizit. Dhe jo vetëm këta. Nuk luajtën me asnjë klub perëndimor, por me futbollin e tyre shpesh i sfiduan lojtarët e klubeve perëndimore.
Më saktë, këta janë diku të periudhës që po e quaj “të erës së mesme të futbollit”, të talenteve të mëdhenj shqiptarë, nëse vërtet ky përcaktim shkon. Kësisoj qysh me startin famëmadh të një Riza Lushte e të një Naim Kryeziu apo dhe të një Loro Boriçi.
Historina të vjetra këto, por që na kujtojnë se toka shqiptare e futbollit, edhe pse modeste në hapësirat e saj, është e pashtershme, pavarësisht se këtë po e shpërfillin deri ata të cilët merren me drejtimin e futbollit në Shqipëri. Duke kaluar vetvetiu në mbivlerësimin e skajshëm të shqiptarëve “të huaj”. Ka kaluar masa. Ia vlen ta ndalim paksa këtë hov euforie që ka mbyllë disa dyer, mbrapa të cilave ndodhen padyshim talente të këtushëm. Temë e pafund kjo…
Dhe: “Ëndrra “e shuar” e Botërorit”?
Nuk mund t’i vë vulën, ndonëse siç u pa, vështirësia mbas përfundimit të gjysmës së ndeshjeve kualifikuese të Shqipërisë, nuk të bën optimist. Çka mbas dështimit në Ligën e Kombeve të Europës, të bën të mendosh disi më gjatë. Natyrisht pa dhënë alarmin, sepse Shqipëria as në futboll nuk është qendër e aq më pak epiqendër.
Ndonëse me modesti ta do mendja se ka ardhur koha për një lloj revolucioni, i vogël apo i madh qoftë. Mbi të gjitha për të pasur një futboll, jo dy futbolle si sot, që janë futbolli i Kombëtares, madje i të gjitha rangjeve të kombëtareve shqiptare dhe futbolli i Shqipërisë këtu. Duke synuar një kthesë në përqendrimin për te futbolli i brendshëm shqiptar, ai i të të ashtuquajturave “akademi të të rinjve”; e mbi të gjitha i Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, zbehja e të cilit ka mbërritur në përmasa krejt të papranueshme. Madje i të gjithë Kampionateve kombëtare. Dhe ndërsa stadiumet e përjavshme gjatë gjithë vitit thuajse janë bosh, nuk tregon përparimin fakti që spektatori shqiptar paguan plot pasion 150 euro për të pa ndeshjen Shqipëria – Serbia, duke ëndërruar Kupën ndoshta të parealizueshme të Botës. E, mund të ndodhë ndërkohë, që t’i lënë tribunat më shumë të mërzitur se të gëzuar. E megjithatë ka fitimtarë të palëkundshëm. Këta janë të tjerë. Janë ata me në krye Federatën Shqiptare të Futbollit, qeveritarët gëzimplotë të cilët të dy së bashku mbeten mbështetës të propagandës televizive marramendëse që nuk ndal.
Po e mbyll me thënien e vjetër profetike të një gazetari të madh. Ky është Gianni Brera i cili ka shkruar:
“Njerëzit jetonin keq, oh sa keq! Por gjaku i tyre i vjetër i mësuar me fatkeqësi të vazhdueshme, reagonte me shpresën e një përmirësimi të afërt. Ndërkaq, sporti i ndihmonte për të përballuar sakrifica të patregueshme, dhe të ekzaltuar ata gjenin forcën për të tejkaluar – ose besonin se tejkalonin – çdo vështirësi të mundshme”
A ende i shkon sot ky stad-kuptimi shqiptarëve, të cilët “mjerisht” sa fort që e duan futbollin dhe Kombëtaren e tyre? As këtë nuk e di fort mirë…
Ajo që di fort mirë është se shkuarja në Botëror e Shqipërisë, nuk ia përmirëson aspak shqiptarëve jetën e tyre tejet problematike. Ashtu siç nuk ua përmirësuan as dy pjesëmarrjet e bukura të dy finaleve të Europës 2016 e 2024. Puna është që të arrijmë t’i japim një vlerë më universale jetës kombëtare qoftë edhe përmes futbollit.
Kësisoj, tash për tash, për t’i ulë sado pak edhe pasionet tona “nacionaliste” që mund të shpërthejnë edhe përmes Kombëtares së futbollit. Qofsha i gabuar, por nuk më mbetet rrugë tjetër përveç kësaj aktuale që më lë në fuqi retoriken time:
“Ëndrra “e shuar” e Botërorit”?…
/Gazeta Panorama