Grupet kriminale në Shqipëri, ish-kreu i Prokurorisë për Krime të Rënda: Po marrin formën e mafies, kanë kaluar në një krim shumë të strukturuar
Ish-kreu i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besnik Muçi, ka ngritur alarmin mbi evoluimin e grupeve kriminale në Shqipëri, duke theksuar se disa prej tyre kanë kaluar në një stad të avancuar të organizimit dhe tashmë mbartin elementë tipikë të mafies.
“Grupet kriminale, në vlerësimin tim, kanë kaluar nga krime ordinere dhe veprimtari të zakonshme kriminale në një nivel shumë të strukturuar. Tashmë ato kanë marrë nuancën e një mafieje,” deklaroi Muçi.
Sipas tij, ndonëse nuk ekziston një hartë e mirëfilltë gjeografike e grupeve kriminale, ato janë të konsoliduara dhe të shpërndara në disa nga qytetet kryesore të vendit, si Shkodra, Elbasani, Fieri dhe Vlora. Megjithatë, aktiviteti i tyre shtrihet në të gjithë territorin shqiptar.
“Ka një hartë të grupeve që ushtrojnë aktivitet në zona të caktuara, por ndërveprimi i tyre është më i gjerë. Janë struktura të forcuara që bashkëpunojnë dhe shtrijnë ndikimin në rang kombëtar,” theksoi Muçi.
Ai paralajmëroi se rritja dhe konsolidimi i këtyre strukturave përbën një kërcënim serioz për rendin, sigurinë dhe sistemin e drejtësisë në vend.
Besnik Muçi: Ekziston një hartë e grupeve kriminale në Shqipëri, pra ka grupe të cilat ushtojnë aktivitetin në territore të caktuara në vend, Shkodër, Elbasan, Fier, Vlorë, e të tjera, por në një kuptim më të përgjithshëm, grupet kriminale veprimtarinë e shtrijnë në të gjithë vendin, sepse ndërthuren dhe ndërveprojnë me element territorial dhe persona në të gjithë territorin.
Nuk ka një hartë gjeografike e grupe kriminale, por ka grupe të forcuara dhe stabilizuara. Grupe kriminale që në vlerësimin tim, kanë kaluar nga grupe kriminale me ato elementët e veprimtarisë së krimit të organizuar, të krimeve ordinere, kanë kaluar në një krim shumë të strukturuar, tashmë ka marrë nuancën e një mafieje.