Diplomatët tërheqin familjet nga Izraeli, SHBA mbyll ambasadën në Jerusalem për shkak të përshkallëzimit të konfliktit me Irani
Tensionet në rritje mes Izraelit dhe Iranit kanë detyruar disa shtete të ndërmarrin masa të menjëhershme sigurie, përfshirë tërheqjen e familjarëve të diplomatëve dhe mbylljen e përkohshme të ambasadave.
Ministria e Jashtme Britanike njoftoi se familjarët e stafit diplomatik në Ambasadën Britanike në Tel Aviv dhe Konsullatën në Jerusalem janë larguar përkohësisht nga territori izraelit si një masë paraprake sigurie. Në njoftimin zyrtar thuhet se ambasada dhe konsullata do të vijojnë të funksionojnë për ofrimin e shërbimeve thelbësore për shtetasit britanikë.
Edhe Rusia ka ndjekur një linjë të ngjashme. Ambasadori rus në Tel Aviv, Anatoly Viktorov, konfirmoi se “praktikisht të gjithë bashkëshortët dhe fëmijët e punonjësve të ambasadës” janë larguar të martën drejt Egjiptit, për t’u kthyer në Rusi. Ai shtoi gjithashtu se nuk përjashtohet mundësia që ambasada ruse të zhvendoset përkohësisht në një vend më të sigurt brenda territorit izraelit, pas gjashtë netësh të përplasjeve të ashpra ushtarake.
Në të njëjtën linjë me masat e marra nga Britania dhe Rusia, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Jerusalem njoftoi se do të qëndrojë e mbyllur deri ditën e premte, më 20 qershor, për arsye sigurie. Sipas deklaratës së publikuar në faqen zyrtare të ambasadës, punonjësve të qeverisë amerikane dhe familjeve të tyre u është kërkuar të qëndrojnë të strehuar në banesat e tyre deri në një njoftim të dytë.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka ngritur një grup pune të posaçëm për të ndihmuar qytetarët amerikanë në Lindjen e Mesme që të qëndrojnë të informuar mbi zhvillimet e fundit. Autoritetet amerikane kanë lëshuar gjithashtu një direktivë udhëtimi, duke këshilluar qytetarët amerikanë të mos udhëtojnë në Izrael, Irak dhe, mbi të gjitha, në Iran, “në asnjë rrethanë”.