Kapet në Portin e Durrësit i riu nga Kosova, tentoi të hynte në Shqipëri me dokumente false – ishte në kërkim për drogë dhe plagosje
Një 25-vjeçar nga Kosova ka rënë në prangat e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, pasi tentoi të hynte në Shqipëri me dokumente të falsifikuara, ndërsa rezultonte i shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare për dy vepra penale.
Shtetasi Sh. M., 25 vjeç, u ndalua në hyrje të territorit shqiptar, pasi gjatë kontrollit në sportel, paraqiti një pasaportë dhe një kartë identiteti të dyshuara si false, me të dhëna të ndryshuara.
Nga verifikimet e mëtejshme dhe bashkëpunimi me autoritetet në Kosovë, u konstatua se i riu ishte në kërkim nga Gjykata e Mitrovicës për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe për veprën penale të “Plagosjes së lehtë”.
Policia sekuestroi dokumentet e falsifikuara në cilësinë e provës materiale, ndërsa Interpol Tirana po vijon bashkëpunimin me homologët në Kosovë për procedurat e ekstradimit të tij.
Njoftimi i policisë
Port, Durrës/Intensifikohen kontrollet nga Policia Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në këtë pikë të kalimit kufitar.
Tentoi të hynte në Shqipëri, me dokumente identifikimi false, duke qenë në kërkim nga autoritetet në Kosovë, për 2 vepra penale, vihet në pranga 25-vjeçari.
Sekuestrohen pasaporta dhe karta e identitetit të dyshuara të falsifikuara.
Si rezultat i shtimit të kontrolleve, verifikimeve dhe intervistimeve, në hyrje/dalje të vendit, me objektiva parandalimin e paligjshmërive dhe ndalimin e shtetasve që synojnë të levizin ilegalisht, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit vunë në pranga, në hyrje të Shqipërisë, shtetasin kosovar, Sh. M., 25 vjeç.
Ai ka paraqitur në sportel, një pasaportë dhe një kartë identiteti, të dyshuara false (me gjenealitete të tjera).
Më tej, nga verifikimet dhe shkëmbimi i informacionit me agjencitë ligjzbatuese në Kosovë, rezultoi se 25-vjeçari ishte në kërkim nga Gjykata e Mitrovicës, për vepra penale në fushën e narkotikëve dhe për plagosje të lehtë.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese në Kosovë, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi.