Fri, Jun 20, 2025

Botafogo befason PSG, “tërbohet” Enrique, “ringjallet” Atletico Madrid (VIDEO)

  • PublishedJune 20, 2025

Botafogo befason PSG, “tërbohet” Enrique, “ringjallet” Atletico Madrid (VIDEO)

PSG është një ekip normal, i thyeshëm, këtë e vërtetoi Botafogo, me ekipin brazilian që dhuroi një surprizë të madhe në Botërorin e Klubeve duke triumfuar përballë fituesve të Champions League. Pas suksesit me “poker” golash kundër Atletico Madrid, PSG bie pikërisht atëherë kur më pak pritej. Luis Enrique kishte bërë një rotacion të lehtë duke lënë pushim disa nga yjet e ekipit si Fabian Ruiz, Nuno Mendes, Joao Neves e Marquinho-s etj, por sërish kishin kontrollin e lojës, tentuan në disa momente të gjenin golin e avantazhit, si në rastin e Kvaratskhelia-s, por pa sukses.

Botafogo i befasoi në minutën e 35-të, me një kundërsulm perfekt të finalizuar nga Igor Jesus. Në fraksionin e dytë, Luis Enrique ndërhyri në formacion duke kryer katër zëvendësime të menjëhershme, por Botafogo mbrojti me fanatizëm rezultatin duke dale me 3 pikë nga përballja me PSG.

Humbja në xhiron e dytë në Botërorin e Klubeve nuk i lë një shije të mirë trajnerin Luis Enrique, por tekniku spanjoll përgëzon edhe rivalin për mënyrën se si u mbrojtën: “Sigurisht që jemi të frustruar nga ky rezultat. Ishte një ndeshje shumë e ngushtë. Botafogo u mbrojt shumë mirë, si asnjë skuadër tjetër në Ligue 1 dhe Champions. Ishte një ndeshje e vështirë nga fillimi deri në fund, por kjo është normale. Të lush kundër nesh është një motivim ekstra për kundërshtarët tanë”, u shpreh Luis Enrique pas ndeshjes.

Në Grupin B, situata bëhet menjëherë shumë interesante, pasi ky grup kryesohet nga Botafogo me 6 pikë të plota, e ndjekur me 3 pikë nga PSG dhe Atletico Madrid. Ekipi spanjoll reagoi shpejt në xhiron e dytë duke triumfuan 3-1 përballë Seattle Sounders. Pablo Barrios ishte njeriu i ndeshjes, me mesfushorin spanjoll që realizoi një “dopietë” golash.

()


AlbaniaWeb.net