Fri, Jun 20, 2025

Pamjet/ Lekë dhe euro të fshehura në jastëk, ja momenti kur policia “zbret” në vilën e prostitucionit në Durrës!

  • PublishedJune 20, 2025

Pamjet/ Lekë dhe euro të fshehura në jastëk, ja momenti kur policia “zbret” në vilën e prostitucionit në Durrës!

Policia ka publikuar pamjet e operacionit të koduar “Storm 4”, ku u godit një rrjet prostitucioni i organizuar në një vilë dykatëshe në zonën e plazhit në Durrës, e përshtatur posaçërisht për këtë aktivitet të paligjshëm.

Në videon e shpërndarë nga Policia e Shtetit, efektivët shfaqen teksa hyjnë në ambientet e vilës, ndërsa gjatë kontrollit zbulojnë shuma të konsiderueshme parash të fshehura në jastëkë – në euro, lekë dhe valutë të tjera.

Sipas të dhënave zyrtare, vila ishte marrë me qira nga një shtetase britanike, 46-vjeçarja K. P., në bashkëpunim me shtetasen kineze F. W., po ashtu 46 vjeçe, e cila dyshohet të ketë qenë organizatorja dhe drejtuesja e rrjetit të prostitucionit. Kjo e fundit u arrestua bashkë me tre shtetase të tjera kineze L. M., 55 vjeçe, L. Ch., 49 vjeçe, Zh. H., 47 vjeçe

Të gjitha akuzohen për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Prostitucioni”.

Ndërkohë, u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe 10 persona të tjerë – 2 gra kineze dhe 8 shtetas shqiptarë, për përfshirje në këtë veprimtari të paligjshme.

Shtetasja K. P., që rezulton rezidente në Mbretërinë e Bashkuar, është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kishte rolin kryesor në marrjen dhe përshtatjen e vilës për aktivitetin kriminal, në bashkëpunim me shtetasen F. W.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjet.