Grabitja e studios ligjore/ Arrestohet 42-vjeçari me rrezikshmëri të lartë, akuzohet për vjedhjen e 10 mijë eurove në bashkëpunim me një çift
Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 42-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar si autor i një grabitjeje të ndodhur dy vite më parë, në një studio ligjore në bulevardin “Gjergj Fishta”.
I arrestuari është shtetasi E. (F.) L., 42 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja, me pasoja të rënda, e kryer në bashkëpunim”.
Sipas njoftimit zyrtar, në vitin 2023, 42-vjeçari në bashkëpunim me një çift bashkëshortësh, të identifikuar me inicialet A. Rr. dhe E. Rr., ka grabitur rreth 10 mijë euro në ambientet e një studioje ligjore, në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, operacioni policor “Kodi”, për kapjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve kundër pasurisë.
Vodhi një shumë të konsiderueshme parash në një studio ligjore në bulevardin “Gjergj Fishta”, 2 vjet më parë, lokalizohet dhe kapet 42-vjeçari.
Në kuadër të operacionit “Kodi”, si rezultat i kontrolleve në bazë të informacioneve të siguara në rrugë operative, u mundësua lokalizimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim, E.(F.) L., 42 vjeç.
Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, me pasoja të rënda, e kryer në bashkëpunim.
42-vjeçari akuzohet se bashkë me bashkëshortët A. Rr dhe E. Rr., në vitin 2023, ka vjedhur rreth 10 000 euro në një studio ligjore, në bulevardin “Gjergj Fishta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.