Fri, Jun 20, 2025

Partia Socialiste i kërkon KAS të mos shpallë të pavlefshme fletët pa shenjën brenda kutisë – “Po ndikon në numrin e votave të kandidatëve tanë”

  • PublishedJune 20, 2025

Partia Socialiste i kërkon KAS të mos shpallë të pavlefshme fletët pa shenjën brenda kutisë – “Po ndikon në numrin e votave të kandidatëve tanë”

Partia Socialiste i ka dërguar një letër Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS), disa ditë pas rifillimit të numërimit të votave në Qarkun e Tiranës.

Në shkresën e saj, PS shpreh shqetësim për vendimin e KAS për të shpallur të pavlefshme fletët e votimit ku shenja dalluese e zgjedhësit nuk është vendosur brenda kutisë përkatëse.

Sipas Partisë Socialiste, ky vendim është në kundërshtim me praktikën zgjedhore të viteve të fundit dhe me kuadrin ligjor në fuqi.

Në letrën drejtuar KAS, PS citon vendimin nr. 30, datë 25.04.2025, të Komisionit Rregullator, i cili përcakton se:

“Kur shenja e zgjedhësit në fletën e votimit nuk ndodhet brenda kutisë që korrespondon kandidatit të listës shumemërore, por është vendosur në mënyrë të qartë që tregon vullnetin e zgjedhësit, fleta e votimit konsiderohet e vlefshme.”

Partia Socialiste argumenton se vlerësimi i fletëve si të pavlefshme po ndikon direkt në numrin e votave të kandidatëve të listës preferenciale të PS-së.

“Ju kërkojmë të respektoni kuadrin normativ dhe praktikën e deritanishme gjatë procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave,” përfundon letra drejtuar KAS.

SHKRESA DREJTUAR KAS:

LËNDA:

Mbi vlerësimin e fletëve të votmit gjatë procesit të rivlerësimit të votave për zonën zgjedhore qarku Tiranë

DREJTUAR:

Komsionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (K.A.S).

Të nderuar anëtarë të Komisionit!

Subjekti zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë ka ardhur në dijeni të vendimmarrjes tuaj gjatë procesit të rivlerësimit të votave për zonën zgjedhore qarku Tiranë, nga ku rezulton se fletët e votimit në të cilat shenja dalluese që shpreh vullnetin e zgjedhësit nuk është vendosur brenda kutisë, janë vlerësuar si të pavlefshme nga ana juaj, në kundërshtim me praktikën zgjedhore ndër vite, si dhe kuadrin ligjor.

Referuar vendimit nr. 30, datë 25.04.2025, të Komisionit Rregullator për ‘Udhëzuesin punës për Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe Grupet e Numërimit të Votave për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në rastin kur shenja e zgjedhësit në fletën e votimit nuk ndodhet brenda kutisë që i korrespondon kandidatit përkatës të listës shumemërore, por shenja është bërë në mënyrë të tillë që e tregon qartë vullnetin e zgjedhësit, fleta e votimit konsiderohet e vlefshme.

Sa më sipër, duke qenë se vlerësimi i fletëve të votimit me shënimin si më lart si të pavlefshme, ndikon në numrin e votave të kandidatëve të listës preferenciale të subjektit zgjedhor Partia Socialiste, duke sjellë si pasojë ndryshimin e tyre në tabelën përmbledhëse, siç na ka rezultuar deri në këtë fazë, kërkojmë nga ju respektimin e kuadrit normativ rregullator dhe të praktikës të zbatuar deri më tani gjatë procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave.

Screenshot_5PS leter KAS