Të shpallur në kërkim, arrestohen dy vëllezërit e dyshuar për kultivimin e 400 bimëve kanabis
Policia ka vënë në pranga dy vëllezërit Emiljan dhe Mikelian Filipi, të cilët dyshohen si autorë të kultivimit të 400 bimëve narkotike në fshatin Sheldi, gjatë një operacioni të koduar “Koordinata”.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest në burg”, pas hetimeve të thelluara dhe veprimeve në terren të kryera nga strukturat e Policisë.
“Nga hetimi dhe veprimet në terren, rezulton se shtetasit E. F. dhe M. F. dyshohen si autorë të kultivimit të 400 bimëve narkotike, të zbuluara më 29 prill 2025 gjatë operacionit kombëtar të koduar ‘Koordinata’, në fshatin Sheldi”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.
Njoftimi:
Shkodër
Finalizohet operacioni “Sheldija” për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim, të dyshuar si autorë të kultivimit të 400 bimëve narkotike.
Vihen në pranga dy vëllezërit, ndaj të cilëve Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të një hetimi të ndjekur me metoda proaktive dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, siguruan informacion dhe prova për autorët e dyshuar të bimëve narkotike në fshatin Sheldi.
Bazuar në këto prova, Gjykata caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për dy vëllezërit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Sheldija”, u kapën dhe u vunë në pranga:
E. F., 28 vjeç dhe M. F., 20 vjeç, banues në fshatin Sheldi.
Nga hetimi dhe veprimet në terren, rezulton se E. F. dhe M. F. dyshohen si autorë të kultivimit të 400 bimëve narkotike, të zbuluara nga shërbimet e Policisë gjatë operacionit kombëtar të koduar “Koordinata”, më datë 29.04.2025, në fshatin Sheldi.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.