U ‘gradua’ si nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilir Meta sulmon Braimllarin: Unë në burg për firmat e tij, ai shpërblehet nga PS
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia lidhur me emërimin e ish-bashkëpunëtorit të tij, Endrit Braimllari, si nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Meta, i cili ndodhet në burg në kuadër të hetimeve për çështjen e firmave të LSI-së në periudhën 2018–2019, thekson se në atë kohë ai ushtronte funksionin e Presidentit të Republikës dhe nuk kishte asnjë rol drejtues në parti.
“Në atë kohë, unë nuk isha kryetar i LSI-së, por President i Republikës”, shkruan Meta, duke nënkuptuar se përgjegjësia për firmat bie mbi Braimllarin, i cili mbante funksione drejtuese në parti.
Ai e cilëson paradoksale situatën, ku sipas tij, ndodhet në burg për veprime që i takojnë Braimllarit, ndërkohë që ky i fundit është “graduar” në një pozicion të rëndësishëm nga Partia Socialiste, të cilës i është bashkuar së fundmi.
Postimi i plotë:
Endrit Braimllari është shembulli më i gjallë i mënyrës se si SPAK-u arrin t’i konvertojë njerëzit pa karakter në “rilindas” të denjë – gënjeshtarë.
Vetëm një “rilindas” mund të harrojë firmat që ka hedhur vetë dhe arsyet për të cilat i ka hedhur.
Një gënjeshtar ordiner, që përpiqet të fshihet pas harresës, por e vërteta nuk fshihet as me lojëra fjalësh, as me konvertim teserash partie.
Firma për lobimet e LSI-së në periudhën 2018–2019 është e Endrit Braimllarit. Në atë kohë, unë nuk isha kryetar i LSI-së, por President i Republikës.
Për firmat e tij unë qëndroj në izolim ekstrem, ndërsa Endriti “gradohet” nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Apo mos ndoshta është Altin Dumani që gënjen në shkresën zyrtare të firmosur prej tij?