Sun, Jun 22, 2025

Sulm në vilën e ish-lojtarit të Interit, rojet pengojnë grabitjen e armatosur

  • PublishedJune 22, 2025

Sulm në vilën e ish-lojtarit të Interit, rojet pengojnë grabitjen e armatosur

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Cantù gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës, kur një bandë kriminale tentoi të grabiste vilën luksoze të futbollistit të njohur Marko Arnautovic, ish-lojtar i Interit.

Vila, e pozicionuar në zonën elitare të Via delle Ginestre, ishte bosh në momentin e sulmit, askush nga familjarët e Arnautovic nuk ndodhej brenda. Por prania e katër rojeve private ndryshoi rrjedhën e ngjarjes.

Sipas burimeve, njëri prej rojeve u sulmua brutalisht dhe u godit në kokë me një shkop nga autorët e armatosur. Dy roje të tjerë arritën të mbyllnin hyrjet kryesore, duke penguar grabitësit të futeshin në ambientet e brendshme të shtëpisë. Ndërkohë, roja e katërt ndërhyri në momentin e fundit, duke bërë që autorët të braktisin tentativën dhe të arratisen me shpejtësi.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e Karabinierëve dhe një ambulancë, që i dha ndihmën e parë rojës së plagosur. Fatmirësisht, nuk ka të lënduar rëndë dhe nuk raportohen dëme të mëdha materiale.

Marko Arnautovic, kontrata e të cilit me Interin përfundoi këtë sezon, nuk ndodhej në Itali në kohën e ngjarjes. Hetimet për identifikimin e autorëve janë në vazhdim.