Sun, Aug 24, 2025

Nga bullizimi në shkollë, te kurora e ‘’Miss Earth’’, Kleja Sulejmani: Luftoni për ëndrrat tuaja, mos i lejoni rrethanat t’jua shuajnë dritën

  • PublishedJune 22, 2025

Me një elegancë të lindur, bukuri shtojzavallesh e sytë që i shkëlqejnë përtej ngjyrës jeshile, Kleja Sulejmani vajza me numrin 3 në ‘’Miss Shqipëria 2025’’ u përzgjodh e preferuara e publikut, ndërsa rrëmbeu edhe kurorën e ‘’Miss Earth’’ në këtë kompeticion.

Ndërsa bisedon me Klejan e kupton që nuk është vetëm një vajzë e bukur, por një shpirt i pastër, që transmeton shumë paqe, dashuri, forcë e guxim për të ngritur zërin atëherë kur nuk duhet heshtur.

Gjatë garës për ‘’Miss Shqipëria’’ ajo rrëmbeu zemrat e publikut që e votoi maksimalisht dhe duartrokitjet e spektatorëve të pranishëm në natën e spektaklit.

Në këtë intervistë Kleja na rrëfen mbi emocionet dhe ndjesitë që përjetoi në këtë garë bukurie, planet për të ardhmen, ndërsa përcjell edhe një mesazh shumë të guximshëm për të gjithë të rinjtë që janë përballur me bullizmin.

Të gjesh guximin të flasësh për fenomene të tilla, është një vlerë dhe forcë e madhe njerëzore, sidomos për një vajzë 20 vjeçare. Kleja ka pasur një periudhë të tillë të errët në jetën e saj të cilën ka vendosur ta ndajë me ne, duke treguar jo thjesht një histori, por duke dhënë një mesazh shumë të ndjerë, një shembull force, ringritje, vetbesimi, edhe për shumë vajza të tjera që janë përballur apo po kalojnë në situata të ngjashme. ‘’Të flasësh për atë që ndjen është forcë, jo dobësi. Ruani thellë brenda vetes ëndrrat tuaja dhe mos i lejoni rrethanat t’jua shuajnë dritën. Bëhuni versioni më i vërtetë i vetes suaj sepse autenticiteti është arma më e bukur që mund të keni në këtë botë,‘’ thotë Kleja.

Kleja, si ndihesh me dy kurora të saporrëmbyera?

Jam ende e emocionuar. Ishte një eksperiencë shumë intensive dhe e bukur. Të vlerësohesh me dy çmime është një ndjenjë krenarie, por edhe përgjegjësie sepse tani përfaqësoj jo vetëm një titull, por edhe shumë vajza që ëndërrojnë këtë rrugë.

Cila është lidhja jote me modën dhe si erdhi vendimi për të konkuruar?

Moda ka qenë gjithmonë pjesë e ndjeshmërisë sime, më pëlqen të shpreh vetveten përmes stilit, por gjithmonë me elegancë dhe identitet. Vendimi për të marrë pjesë në Miss erdhi natyrshëm, si një sfidë ndaj vetes dhe një dëshirë për t’u rritur, për të dalë nga zona e rehatisë.

Si e kujton periudhën e kaluar me vajzat pjesëmarrëse? A krijove miqësi gjatë kohës së provave dhe përgatitjeve për Miss?

Ishte një periudhë e paharrueshme. Jo vetëm që krijova miqësi të bukura me disa nga vajzat, por ndjeva edhe një lidhje shumë të veçantë me gjithë këtë eksperiencë sepse nuk ishte vetëm një garë. Produksioni ishte i jashtëzakonshëm. Nuk na trajtuan thjesht si konkurrente, por si vajza që mbartnin histori, emocione dhe ëndrra. E vlerësoj pafund mënyrën se si shikonin përtej pamjes, donin të na njihnin në brendësi, si individë. Ishin pranë nesh me dashuri, përkujdesje dhe shumë profesionalizëm. Falë tyre, ndihesha e sigurt dhe e kuptuar. Kjo është një nga arsyet që e bëri këtë eksperiencë kaq të veçantë për mua.

A ke pasur oferta për bashkëpunime deri tani?

Po, ka pasur disa kontakte interesante dhe propozime për bashkëpunime. Jam duke i shqyrtuar me kujdes, sepse dua të zgjedh ato që përputhen me vlerat dhe drejtimin tim personal.

Vajza që fitoi ishte më e mira për ty?

Çdo vajzë në finale kishte diçka të veçantë. Por vajza që fitoi është një vajzë me shumë cilësi të bukura, si në pamje ashtu edhe në karakter. E kam parë nga afër përkushtimin, mirësinë dhe energjinë e saj pozitive gjatë gjithë kohës. Jam e lumtur për të dhe mendoj se kurora shkoi në vendin e duhur. Ky kompeticion më dha forcën të kuptoj se kur vajzat motivojnë njëra-tjetrën, secila prej nesh shkëlqen në mënyrën e vet.

Çfarë mendon që të penalizoi për të marrë çmimin e parë?

Nuk e shoh si penalizim. Mendoj që në një kompeticion ka shumë elementë që ndikojnë, jo vetëm performanca e një nate, por edhe përvoja, mënyra e të qëndruarit në skenë, qetësia emocionale dhe komunikimi me publikun. Vajza që fitoi është një shoqe e imja dhe e admiroj për bukurinë, përgatitjen dhe balancën që ruajti gjatë gjithë kohës. Ajo e meritonte plotësisht. Por edhe unë ndihem fituese sepse dhashë më të mirën dhe u vlerësova me dy çmime që përfaqësojnë punën dhe shpirtin tim. Në fund, kjo për mua nuk është fundi i një gare, por fillimi i një rruge të bukur që mezi pres ta vazhdoj.

A do ta ndërtosh të ardhmen në Juridik, degë ku po vijon studimet, apo në modeling?

Unë besoj se njeriu mund të ndjekë më shumë se një pasion. Juridiku më ka formuar intelektualisht, ndërsa modelingu më ndihmon të shpreh anën time artistike. Shpresoj t’i ndërthur të dyja me mendje të mprehtë dhe qëndrim elegant.

Ke një bukuri të pastër, fëmijënore, plot sharm e elegancë dhe sy shumë shprehës… Kujt i ke ngjarë?

Faleminderit për komplimentin! Shpesh më thonë që ngjaj shumë me mamin nga karakteri, qëndrimi dhe mënyra si reagoj në situata. Nga ana fizike, duket se kam trashëguar më shumë nga daja im, që është me thënë të drejtën, shumë “king”! Ka sy shumë shprehës.

Kush është modeli yt në jetë?

Modeli im është nëna ime, një grua sakrifikuse, e dashur, shumë e mirëkuptueshme dhe jashtëzakonisht inteligjente. Ajo më ka mësuar me shembullin e saj se si të jem mirënjohëse ndaj atyre që më kanë ndihmuar në momente të vështira, si të jem e fortë, si të jap dashuri pa kushte dhe si të punoj me pasion për ëndrrat e mia. Për mua, ajo është inspirimi i përditshëm dhe arsyeja pse jam ajo që jam sot.

Mendon që një grua mund t’i bëjë të dyja – karrierën dhe familjen?

Absolutisht po. Një grua është një forcë e jashtëzakonshme që mund të ndërtojë botë, të udhëheqë dhe të rrisë jetë. Mjafton të ketë mbështetje, besim dhe dashuri.

Çfarë e frymëzon Klean në përditshmëri?

Një fjalë e mirë dhe njerëzit e drejtë.

Si vishesh në përditshmëri?

Stili im është minimalist, i pastër, me një prekje klasike. E dua rehatinë, por gjithmonë me detaje që tregojnë kujdes dhe finesë.

Cila është modelja apo ikona jote e modës?

Gigi Hadid më frymëzon për natyrshmërinë dhe stilin e saj të thjeshtë, por të fuqishëm.

Klea si ka qenë fëmijëria jote, jeta studentore, çfarë kujton si periudhën më të bukur të jetuar deri më tani, por dhe ndonjë vështirësi që mund të kesh kaluar dhe dëshiron ta ndash me ne?

Fëmijëria ime ka pasur momente të bukura, por edhe sfida të mëdha. Gjatë viteve të shkollës kam kaluar një periudhë të vështirë, ku u bullizova dhe ndihesha shpesh e vetmuar për shkak se nuk frekuentoja jetën e shoqeve të klasës. Në jetën time kanë hyrë dy pedagoge të mrekullueshme që më kanë ndihmuar shumë. Zysh Entela është një grua e jashtëzakonshme, me zemër të madhe që ka shënjuar thellë ringritjen time. Ajo më ka ngjallur besim dhe më ka ngritur si shqiponjë, duke më shndërruar nga një vajzë e ndrojtur në një person me karakter të fortë dhe vetëbesim.  I jam shumë mirënjohëse për gjithë këtë mbështetje që më ka ndihmuar të ringrihem dhe të eci me krenari.

Ndërsa Zysh Rabiana, me zërin e saj të ngrohtë dhe praninë e përhershme, ka qenë gjithmonë aty në momentet e mia të vështira, duke më dhënë mbështetje të padiskutushme dhe ngrohtësi. Përulësisht mirënjohëse ndaj këtyre dy zonjave të mëdha.

Si e sheh veten pas 10 vitesh?

Shpresoj të jem një grua e realizuar, me një karrierë të ndërtuar me integritet, ndoshta dhe me një familje të bukur. Dhe mbi të gjitha, dua të jem njeri që frymëzon të tjerët, ti jap zë atyre që nuk mund të dëgjohen dhe ta bëjmë botën më të bukur dhe paqësore.

Cili është një mesazh që do të doje të ndaje sot për të gjithë të rinjtë që do të lexojnë intervistën tënde?

Mesazhi im për të rinjtë është të mos dorëzohen kurrë, pavarësisht vështirësive apo dhimbjeve që mund të kalojnë. Nëse ndihen të humbur, të lënduar emocionalisht apo të bullizuar, të mos hezitojnë të kërkojnë ndihmën e një psikologu. Të flasësh për atë që ndjen është forcë, jo dobësi. Ne kemi profesionistë shumë të zotë në vendin tonë. Ruani thellë brenda vetes ëndrrat tuaja dhe mos i lejoni rrethanat t’jua shuajnë dritën. Bëhuni versioni më i vërtetë i vetes suaj sepse autenticiteti është arma më e bukur që mund të keni në këtë botë.

Screenshot