EMRAT/ Abuzim me tendera publikë dhe falsifikim dokumentesh, GJKKO shpall vendimin për 4 të pandehur
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin përfundimtar për 4 ish zyrtarë lokalë në Kurbin, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera publikë dhe falsifikim dokumentesh.
Në përfundim të një procesi të zhvilluar me gjykim të shkurtuar, janë shpallur fajtorë tre persona, ndërsa një është shpallur i pafajshëm.
Konkretisht, Jeton Cakoni u shpall fajtor për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. Ai u dënua me 1 vit burgim, i reduktuar në 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e tij në provë për 16 muaj. Cakoni humbet gjithashtu të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Vlash Gega, i akuzuar për të njëjtën vepër penale si Cakoni, u dënua po ashtu me 1 vit burgim, i reduktuar në 8 muaj. Edhe për të, u vendos pezullimi i dënimit dhe masa e provës për 16 muaj, si dhe ndalimi për ushtrim funksionesh publike për 5 vjet.
Donika Senka u shpall fajtore për falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve në më shumë se një rast. Ajo u dënua me 1 vit burgim, i reduktuar në 8 muaj. Dënimi i saj gjithashtu u pezullua, duke u vendosur në provë për 16 muaj.
Irisi Tahiraj u shpall e pafajshme për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, pasi gjykata vlerësoi se nuk provohej përfshirja e saj në veprën penale.
Gjykata urdhëroi që dokumentet e sekuestruara gjatë hetimeve, përfshirë deklarata të nënshkruara nga Donika Senka, të cilësohen si të falsifikuara dhe të shënohen si të tilla nga Bashkia Kurbin, si autoriteti kontraktor që i administron.