Tue, Jun 24, 2025

Mbyllet çështja ndaj Sean “Diddy” Combs! Mbrojtja nuk thërret asnjë dëshmitar

  • PublishedJune 24, 2025

Mbyllet çështja ndaj Sean “Diddy” Combs! Mbrojtja nuk thërret asnjë dëshmitar

Prokurorët federalë në Nju Jork pritet të mbyllin këtë të martë çështjen ndaj Sean “Diddy” Combs, i akuzuar për trafikim seksual, konspiracion kriminal dhe shfrytëzim të bizneseve të tij muzikore si rrjet abuzimi ndaj grave. Pas më shumë se gjashtë javësh dëshmi dhe 34 dëshmitarë të thirrur nga prokuroria, ekipi mbrojtës ka vendosur të mos thërrasë asnjë dëshmitar, vendim që ndonëse befasues, është i zakonshëm në gjyqe të kësaj natyre.

Avokatët e Combs do të paraqesin vetëm prova dokumentare dhe pritet të kërkojnë edhe rrëzimin e çështjes, megjithëse kjo kërkesë rrallë pranohet. Mbrojtja do të mbështetet në idenë se dëshmitarët e prokurorisë nuk e vërtetuan fajësinë e klientit të tyre, ndërsa barra e provës mbetet plotësisht mbi prokurorinë.

Combs, 55 vjeç, përballet me pesë akuza federale, përfshirë trafikim seksual me forcë dhe mashtrim dhe nëse shpallet fajtor për cilëndo prej tyre, mund të përballet me dënime të rënda burgimi. Aktakuza përmend katër gra që pretendojnë se janë abuzuar nga ai, ndërsa mes dëshmitareve ishte edhe ish-e dashura e tij, këngëtarja Cassie, e cila përshkroi përvoja traumatike të abuzimit seksual dhe emocional që, sipas saj, e shkatërruan edhe profesionalisht.

Fjalët përfundimtare në gjyq pritet të nisin të enjten.