Thu, Jun 26, 2025

U vra nga biznesmeni italian, zbulohet identiteti i hajdutit shqiptar – Trupi u fut në fuçi vere dhe u gropos: detaje tronditëse nga dinamika e ngjarjes

  • PublishedJune 26, 2025

U vra nga biznesmeni italian, zbulohet identiteti i hajdutit shqiptar – Trupi u fut në fuçi vere dhe u gropos: detaje tronditëse nga dinamika e ngjarjes

Mediat italiane dhe burime zyrtare kanë konfirmuar identitetin e të riut shqiptar që u vra gjatë një tentative grabitjeje në Centola: bëhet fjalë për 26-vjeçarin Rivaldo Rusi, i cili ishte pjesë e një bande prej tre shqiptarësh që tentuan të vidhnin vilën e një biznesmeni italian.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, kur 60-vjeçari Aurelio Valiante, pronar i vilës, qëlloi me pushkë gjuetie, duke vrarë Rusin dhe plagosur rëndë një tjetër nga grabitësit. Personi i tretë arriti të arratiset.

Trupi i fshehur në fuçi dhe i groposur

Sipas dëshmisë së dhënë në prokurori nga vetë Valiante, pas të shtënave ai futi trupin e pajetë të 26-vjeçarit në një fuçi vere, e ngarkoi në automjet dhe e transportoi në një zonë të izoluar në fshatin San Severino di Centola, ku e groposi.

Policia gjeti trupin në vendin e treguar nga biznesmeni, ndërsa në skenën e ngjarjes ndodheshin gruaja dhe vjehrra e viktimës, të cilat shprehen:

“Ai bëri një gabim. Por nuk duhej të kishte vdekur kështu. U varros si kafshë. Na la një fëmijë pa baba.”

Njëri nga grabitësit i plagosur rëndë – në arrati për vepra penale

Personi i dytë, i plagosur rëndë nga të shtënat, ndodhet i shtruar në spitalin Cardarelli të Napolit dhe është në arrest. Ai është identifikuar si person me precedentë penalë në Itali dhe ka qenë në arrati për vepra të mëparshme të kryera në Toskanë. Kur gjendja e tij shëndetësore të stabilizohet, do të merret në pyetje për të hedhur dritë mbi rrethanat e plota të incidentit.

Hetimi ndaj biznesmenit: Vrasje, plagosje dhe fshehje kufome

Ndaj sipërmarrësit Aurelio Valiante është ngritur hetim për vrasje, plagosje të rëndë trupore dhe fshehje kufome. Ai u paraqit në prokurori me avokatin e tij, Antonello Natale, dhe pranoi vrasjen dhe fshehjen e trupit.

Ndërkohë, ende nuk është e qartë dinamika e saktë e ngjarjes – hetuesit po verifikojnë nëse të shtënat ndodhën gjatë përleshjes, apo në momentin kur grabitësit po tentonin të iknin. Ky element do të jetë vendimtar në përcaktimin e karakterit të vrasjes: nëse ishte vetëmbrojtje apo veprim i qëllimshëm dhe i parashikuar.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka shkaktuar tensione, veçanërisht pasi rreth 50 shqiptarë, të afërm dhe miq të viktimës, u mblodhën pranë banesës së Valiante, në shenjë zemërimi dhe për të kërkuar drejtësi.