Tentoi të grabiste një banesë, ky është shqiptari që u ekzekutua nga biznesmeni italian
Mediat italiane kanë publikuar identitetin dhe fotografinë e 25-vjeçarit shqiptar, Rivaldo Rusi, i cili mbeti i vrarë me armë zjarri gjatë një tentative për grabitje në zonën e Cilentos, Itali. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë natës mes të dielës dhe të hënës, kur disa persona dyshohet se tentuan të hynin në një vilë në pronësi të biznesmenit italian Aurelio Valiante.
Sipas hetimeve paraprake dhe dëshmisë së vetë autorit, 58-vjeçari Valiante ka përdorur armën e gjahut për të qëlluar ndaj të rinjve që po tentonin të hynin në pronën e tij. Si pasojë, një prej plumbave goditi për vdekje në vend Rivaldo Rusin, ndërsa një tjetër person mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në spitalin e Napolit në gjendje kritike.
Biznesmeni ka pranuar autorësinë e vrasjes dhe, sipas autoriteteve italiane, ka deklaruar gjithashtu se kishte fshehur trupin e viktimës pas ngjarjes. Aktualisht, ai përballet me akuza për vrasje, fshehje kufome dhe plagosje të rëndë.