Zbulohet shkaku i vdekjes së legjendës së Beach Boys, Brian Wilson
Dy javë pas ndarjes nga jeta të ikonës së muzikës, është bërë publik shkaku i vdekjes së Brian Wilson. Sipas certifikatës mjekësore, ai humbi jetën si pasojë e ndalimit të frymëmarrjes, e shkaktuar nga një infeksion i rëndë në organizëm dhe infeksion urinar.
Gjendja e tij ishte e rënduar edhe nga probleme të tjera shëndetësore, përfshirë sëmundje neurologjike, vështirësi kronike në frymëmarrje, probleme me gjumin dhe insuficiencë të veshkave.
Wilson u nda nga jeta më 11 qershor, pak javë para 83-vjetorit të tij. Familja e tij e njoftoi lajmin me një deklaratë të ndjerë në rrjete sociale, duke kërkuar respekt për privatësinë në këtë periudhë zie.
Brian ishte themeluesi i The Beach Boys, grupi legjendar që solli tingujt e “California Girls”, “Surfin’ USA” dhe “Good Vibrations” që nga vitet ’60. Ai u nderua me futjen në Rock & Roll Hall of Fame në vitin 1988.