“Ishte një makinë pas nesh, unë i kam parë në video, se me sy jo”, Arjan Ndoj tregon njohjen me “Rrumin e Shijakut”: Nuk është me status të veçantë
Ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoj, ka dhënë dëshmi në seancën gjyqësore ndaj Plarent Dervishajt, i akuzuar si organizatori i atentatit të ndodhur më 1 nëntor 2019 pranë mbikalimit të Shkozetit, ku mbeti i vrarë shoferi i tij, Andi Maloku.
Gjatë dëshmisë në Gjykatën e Posaçme, Ndoj rrëfeu edhe marrëdhënien me Pëllumb Muharremin, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, me të cilin ndodhej në të njëjtin automjet në momentin e ngjarjes.
Ai deklaroi se Aleksandër Lahon, emri tjetër i Muharremit, e kishte njohur që në vitin 2005, kur ky i fundit ishte avokat, gjatë një çështjeje ku një shtetas kishte mbetur i plagosur. Sipas Ndojit, pas asaj periudhe kishin pasur marrëdhënie shoqërore për disa vite.
Duke përshkruar atentatin, Ndoj tha se fillimisht një makinë u ishte afruar nga pas dhe kishte nisur të qëllonte, ndërsa më pas autorët ishin pozicionuar në krahun ku ai ndodhej si pasagjer dhe kishin vazhduar të qëllonin me armë zjarri.
“Makina na erdhi nga pas dhe nisi të qëllojë. Pastaj u afrua në krahun tim, ku isha ulur si pasagjer, dhe u qëllua përsëri. Nuk arritëm të shohim autorët,” tha ndër të tjera Ndoj.
Ish-prokurori Arjan Ndoj: Aleksandër Lahon e kam njohur në 2005, isha avokat, ishte plagosur një shtetas. Marrëdhënie disavjeçare, janë marrëdhënie shoqërore, nuk janë me status të veçantë. Më kishin ftuar, shkova.
Në momentin e atenatit, ishte një makinë pas nesh, unë i kam parë në video, se me sy jo. Mjeti erdhi nga pas, nisën të shtënat mbrapa pastaj doli në krahun tim dhe ka gjuajtur. Shoferi i ndjerë, rriti shpejtësinë dhe ngadalësoi kohën. Në momentin e ngjarjes nuk e sheh dot kush të gjuan.