“U përdorën patronazhistët terroristë për kërcënimin e qytetarëve”, denoncimi i Berishës: Nga Arkend Balla, tek Sara Mile, deputetët e karteleve që morën 130 mijë vota
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar duke hedhur akuza të forta ndaj disa kandidatëve të Partisë Socialiste që dolën fitues në zgjedhjet e 11 majit, duke i cilësuar si “deputetët e karteleve”.
“Arkend Balla, Sara Mile, Besa Spaho, Ani Dyrmishi e të tjerë morën 130 mijë vota,” u shpreh Berisha gjatë një deklarate për mediat.
Sipas tij, blerja e votës u zhvillua në disa dimensione, duke përmendur mes tjerash edhe përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve, të cilat sipas tij iu dorëzuan “terroristëve patronazhistë për t’i kërcënuar”.
Berisha akuzoi gjithashtu se blerja e votës u financua me:
- Prokurime publike në vlerën prej 500 milionë eurosh
- Pagesa prej 100 eurosh për 48% të votuesve pensionistë
- 100 milionë euro për kanabis, për të siguruar territore mbjelljeje
- Punësime masive të dhjetëra mijëra punonjësve në administratë
Sali Berisha: Arkend Balla, Sara Mile, Besa Spaho, Ani Dyrmishi etj morën 130 mije vota, deputetët e karteleve.
Dhe ky është një dimension që po vërtetohet, dimensioni tjetër është blerja e votës me prokurime publike 500 milionë, blerja e votës 100 euro për 48% të votuesve, pensionistëve, blerja votës me 100 mln kanabis territor për t’u mbjellë, është blerja e votës me punësime të dhjetëra mijërave punonjësve, blerja e votës duke dorëzuar të dhënat personale të qytetarëve terroristëve patronazhistë për ti kërcënuar dhe me premtime.
Është blerja e votës duke firmosur mijëra legalizime e punësime të përkohshme, përveç këtyre, s’janë mjaftua me këto që janë publike, por me një verbëri kanë përdorur çdo mjet tjetër për të falsifikuar rezultatin. Këto janë shtesë që tregojmë ne sepse shteti elektoral u denoncua botërisht.