Vinicius i premton besnikëri Realit, por Alaba trondit Alonsos
Real Madrid siguroi një biletë për në fazën e 1/8 në Botërorin e Klubeve, por ky pritet të jetë një turne i gjatë dhe një verë e nxehtë për ekipin spanjoll, pasi me Alonson në stol synojnë të ndërtojnë një cikël të ri. Në pritje të Mbappe, me francezin që nuk ka luajtur asnjë minutë në këtë turne, për të tërhequr ekipin ka menduar Vinicius jr.
Sulmuesi brazilian dhuroi një shfaqje fantastike përballë Salzburg duke realizuar një gol dhe dhuruar një asist. Vinicuis u shpall njeriu i ndeshjes, por gazetarët e ngacmuan jo pak në lidhje me të ardhmen e tij: “Kam një kontratë që më skadon në 2027, por unë shpresoj të qëndroj këtu edhe për shumë vite të tjera”, u shpreh Vinicius.
Në Madrid qëndron Vinicius, por mund të largohet një tjetër brazilian, Rodrygo. Nga Anglia, ekipe si Arsenal vijojnë të ushtrojnë presion ndaj Realit duke joshur sulmuesin me oferta të rëndësishme. Kjo verë pritet të thotë shumë mbi të ardhmen e tij në Madrid.
Përtej zërave që vijnë nga merkato, Alonso ka marrë një lajm jashtëzakonisht negativ. David Alaba ka pësuar një dëmtim muskulor në këmbën e tij të majtë duke e detyruar të qëndrojë jashtë fushës së lojës për të paktën dy muaj. Mbrojtësi austriak humbet në këtë mënyrë të gjithë fazën përgatitore dhe me shumë mundësi edhe ndeshjet e para në fund të muajit gusht dhe në fillim shtatori.
()