Shqipëria, aksionere me dhëndrin e Trump për resortin luksoz në Sazan! Krijohet shoqëria që do të përfaqësojë shtetin në investimin me vlerë 1.4 miliardë euro, detajet e projektit që zë 8% të ishullit
Shqipëria do të jetë aksionere në resortin turistik që do të ndërtohet në Sazan nga Jared Kushner. Qeveria shqiptare ka krijuar kompaninë shtetërore, e cila do të përfaqësojë shtetin për ortakërinë në këtë resort.
Në Qendrën Kombëtare të Biznesit një ditë më parë është regjistruar shoqëria aksionere “Albanian State Develompent & Real Estate”. Objekti i kësaj shoqërie do të jetë pjesëmarrja si përfaqësues i shtetit në partneritete apo investime strategjike lidhur me projektin e investimit “Resorti TuristikIshulli i Sazanit”, apo çdo projekt tjetër të autorizuar nga Korporata e Investimeve.
“Kjo shoqëri duhet të sigurojë menaxhimin, zhvillimin dhe administrimin e përgjegjshëm të pasurive të paluajtshme në pronësi, përdorim apo përgjegjësi administrimi të kompanisë, duke maksimizuar vlerën e tyre dhe duke garantuar përdorim optimal. Pjesëmarrja si përfaqësues i shtetit në partneritete apo investime strategjike si dhe në çdo rast të përcaktuar me vendim të organeve të shoqërisë, lidhur me projektin e investimit ‘Resorti Turistik-Ishulli i Sazanit’ apo çdo projekt tjetër të autorizuar të AIC”, – thuhet në dokumentin e regjistrit kombëtar.
Kapitali i shoqërisë është 50 milionë lekë, të zotëruara 100% nga Korporata e Investimeve Shqiptare. Krijimi i shoqërisë do të përfaqësojë shtetin në projektin me një vlerë të parashikuar investimi prej 1.4 miliardë eurosh, që synon ndërtimin e një marine turistike, rezidencash elitare, zone gastronomike dhe akomodimi në një sipërfaqe prej 45 hektarësh në 8 për qind të ishullit. Komiteti i Investimeve Strategjike i dha statusin investitor strategjik kompanisë së lidhur me Jared Kushner për ndërtimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit.
Vendimi u mor më 30 dhjetor, duke pranuar propozimin e kompanisë “Atlantic Incubation Partners LLC”, duke parashikuar një investim prej 1.4 miliardë eurosh për ndërtim në 8 për qind të ishullit, ose në 45 hektarë. Planet për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në Sazan dhe një tjetri në Zvërnec nga Jared Kushner dhe kompanitë e lidhura me të u bënë publike në fillim të vitit 2024. Publikimi i kompanisë shtetërore që do të hyjë ortake në resortin e Sazanit përkon me vizitën vajzës së Presidentit Donald Trump, Ivanka Trump si dhe bashkëshortit të saj, Jared Kushner, të cilët një ditë më parë ishin për një vizitë në Vlorë.
/Gazeta Panorama