Ukraina sulmon me dron bazën ajrore ruse në Krime, shkatërrohen helikopterë dhe sistem kundërajror
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) ka kryer një sulm të fuqishëm me dronë ndaj bazës ajrore Kirovske, në Krimenë e pushtuar nga Rusia, në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Sipas raportimeve të agjencisë Ukrinform, si pasojë e operacionit u shkatërruan tre helikopterë rusë, një Mi-8, një Mi-26 dhe një Mi-28, si dhe një sistem i avancuar kundërajror Pantsir-S1. Sulmi shkaktoi zjarre të mëdha në zonën e bazës, duke prekur depo municionesh dhe pajisje të zbulimit ajror dhe dronësh.
Në një deklaratë zyrtare, SBU tha se ky operacion është pjesë e një fushate të qëllimshme për të dobësuar kapacitetet ajrore të Rusisë, duke theksuar se “asnjë pajisje ushtarake apo municion rus nuk është i sigurt – as në vijën e frontit, as në territoret e pushtuara, as në prapavijë”.
Kjo goditje vjen një ditë pas një tjetër sulmi të forcave ukrainase, më 27 qershor, kur u raportua shkatërrimi i katër avionëve luftarakë Su-34 në bazën ajrore Marinovka, në rajonin e Volgogradit, brenda territorit rus.