Vodhi motomjete dhe sende nga një biznes, në pranga 38-vjeçari! Shpallet në kërkim bashkëpunëtori
Policia e Lushnjës ka vënë në pranga një 38-vjeçar, i dyshuar për vjedhjen e katër motomjeteve elektrike dhe sendeve të tjera nga një biznes privat në qytet.
Në pranga ka rënë shtetasi Ergest Prençe, banues në fshatin Pirrë, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, O. D., 34 vjeç, banues në Lushnjë.
Arrestimi i Prençes erdhi pas kallëzimit të bërë nga shtetasi I. S., pronar i biznesit të dëmtuar.
“Në vijim të veprimeve operacionale u bë e mundur kapja e njërit prej tyre, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit të shpallur në kërkim,” njofton policia.
Njoftimi i policisë:
Lushnjë/Veprime hetimore për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tyre.
Vodhën gjatë natës 4 motomjete elektrike dhe sende të tjera në një biznes në Savër, vihet në pranga njëri prej autorëve, shpallet në kërkim autori tjetër.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas kallëzimit nga shtetasi I. S., se në biznesin e tij në lagjen “Savër”, i kishin vjedhur sende të ndryshme, gjatë natës, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e vjedhjes dhe identifikimin e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, është bërë e mundur identifikimi i autorëve.
Në vijim të veprimeve operacionale u bë e mundur kapja e njërit prej tyre, shtetasit E. P., 38 vjeç, banues në Pirrë, si edhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi O. D., 34 vjeç, banues në Lushnjë. Po punohet për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të 34-vjeçarit.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.