Nga spital për fëmijë, në burg për politikanët

Nëse do të kremtohej ditëlindja e një burgu, Instituti i Ekzekutimit të Veprave Penale (IEVP) në Durrës do të kishte arritur në ditëlindjen e 20-të.
Ai ka nisur të funksionojë në vitin 2005, dhe aty janë të arrestuar me masë sigurie politikanë si kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe ai i Mjedisit, Lefter Koka.
Në fakt, godinat e tij janë gati 10 vjet më të hershme, dhe mbi të gjitha i përkasin një destinacioni krejtësisht tjetër, atyre të një spitali të ndërtuar në ish-kënetë.
Por që prej dy dekadash, ato i janë kaluar ministrisë së Drejtësisë, që i shfrytëzon si struktura të një burgu.
Ndërtesat e mesit të viteve 1990 u ngritën si Qendra e Diagnostikimit Pediatrik në qytetin bregdetar, një shërbim krejtësisht i ri dhe i unifikuar në hapësirën që po e shtonte popullsinë.
Gjithçka u arrit pas këmbënguljes së “Lions Club” (Distrikti 108) në Itali, të cilët menjëherë pas ndryshimeve demokratike në vend ishin njohur nga afër dhe kishin ndihmuar sistemin shëndetësor shqiptar.
Klubi ndërkombëtar i shërbimeve kishte një veprimtari 100-vjeçare dhe shumë shpejt në projektin e Durrësit u përfshinë të gjitha klubet “Lions” të vendit fqinj.
Marrëveshja e vitit 1995 mes Bashkisë së Durrësit, “Lions Club” Italian dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ishte pasojë e njohjes mjaft të mirë që krijuan mjekët dhe infermieret e vendit fqinj për gjendjen e vështirë të reparteve mjekësore në spitalin e qytetit.
Punimet filluan në ish-kënetën e boshatisur, pikërisht në janar të vitit 1996, ndërsa paralelisht me të ngriheshin edhe banesat e familjeve të para të ardhura nga krahina të ndryshme të vendit.
Banorët kujtojnë se e kanë ruajtur strukturën me armë, gjatë muajve problematikë të vitit 1997.
Menjëherë pas përurimit, godinat u pagëzuan me shërbimet e para intensive për pacientët e parë nga kriza e Kosovës.
Mjekë shqiptarë dhe italianë u bënë bashkë në spitalin e ri për ndërhyrje të çdo lloji, madje edhe për ato obstetrike e gjinekologjike.
“Spitali u zgjerua me me personelin dhe pajisjet që mbërritën nga Italia,” kujton dr. Carlo d’Angelo, një nga mjekët që u kujdesën për zbatimin e projektit.
Sipas tij, një pjesë e spitalit do të shfrytëzohej si një repart i pacientëve me problem mendore.
Ndërkaq filluan trajnimet për personelin shëndetësor shqiptar.
NATO e shfrytëzoi për disa vite strukturën spitalore, në mbështetje të pacientëve ushtarakë nga zonat problematike.
“Ndërkohë mundësitë financiare të “Lions Club” nga Italia, për ta çuar para aktivitetin e spitalit, filluan të tkurren,” tregon dr Carlo d’Angelo.
Në vitin 2003, një ceremoni kuptimplote e zhvilluar në Durrës ia kaloi shtetit shqiptar strukturën shëndetësore të ngritur nga “Lions” Club Italia.
Dy vjet më vonë, në një periudhë parazgjedhore, godina e ndërtuar për qëllime shëndetësore e ndryshoi destinacionin e saj fillestar.
Struktura, që lindi si Qendër e Diagnostikimit Pediatrik, që nga ajo periudhë shfrytëzohet si Instituti i Ekzekutimit të Veprave Penale.