EMRI/ Arrestohet në Fier një 20-vjeçar i kërkuar nga Italia për trafik droge, pjesë e një organizate kriminale
Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses një tjetër operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Në aksin rrugor Fier–Vlorë, u arrestua shtetasi Olsi Kapllanaj, 20 vjeç, banues në Ballsh, i cili ishte i shpallur në kërkim nga drejtësia italiane për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e Policisë italiane dhe rrjetin ndërkombëtar ENFAST.
Sipas autoriteteve italiane, Gjykata e L’Aquilas ka vendosur ndaj Kapllanajt masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa për veprën për të cilën akuzohet, Kodi Penal italian parashikon një dënim deri në 24 vjet heqje lirie.
Policia shqiptare bën me dije se procedurat për ekstradimin e të riut drejt Italisë janë në vijim.
Njoftimi:
Policia e Shtetit/Operacione policore të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve që i fshihen në Shqipëri, akuzave të drejtësisë italiane.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 51”.
Operacioni, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për kapjen e pjesëtarit të një organizate kriminale në Itali.
Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë me strukturat e Policisë italiane, të koordinuar nga rrjeti ndërkombëtar ENFAST, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale kapën në aksin rrugor “Fier-Vlorë”, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, O. K., 20 vjeç, banues në Ballsh.
Gjykata në L’Aquila i ka caktuar këtij shtetasi, masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale, vepër për të cilën Kodi Penal italian parashikon maksimum dënimi, 24 vjet burgim.
Vijon bashkëpunimi për të finalizuar ekstradimin e 20-vjeçarit, në Itali.