Mon, Jun 30, 2025

Manastirliu: Po rishikojmë kurrikulën për t’u përafruar me standardet e BE-së! Theksi te mendimi kritik, puna në grup dhe teknologjia

  • PublishedJune 30, 2025

Manastirliu: Po rishikojmë kurrikulën për t’u përafruar me standardet e BE-së! Theksi te mendimi kritik, puna në grup dhe teknologjia

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim pune me ekspertë të arsimit për të diskutuar rishikimin e kornizës kurrikulare, me synimin për ta përafruar atë me standardet europiane, zhvillimet teknologjike dhe nevojat e tregut të punës.

Manastirliu theksoi se procesi i rishikimit është pjesë e objektivave strategjikë të Shqipërisë në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian, por edhe një domosdoshmëri për të garantuar një arsim cilësor dhe praktik për brezat e rinj.

“Kemi analizuar çfarë funksionon dhe çfarë duhet përmirësuar në kurrikul. Synimi ynë është të theksojmë kompetenca si mendimi kritik, puna në grup, kreativiteti, dhe të balancojmë më mirë raportin mes teorisë dhe praktikës, veçanërisht për lëndët që kërkojnë eksperimentim,” deklaroi ministrja.

Investim në laboratorë dhe teknologji në shkolla

Ministrja nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së teknologjisë në mësimdhënie, duke përmendur se aktualisht janë në funksion 340 laboratorë inteligjentë dhe 25 laboratorë të inteligjencës artificiale në shkolla. Brenda dy viteve të ardhshme, sipas saj, 654 laboratorë të rinj inteligjentë do t’i shtohen sistemit arsimor.

“Kemi nisur zbatimin e programit të teknologjisë dhe kodimit që nga klasa e parë për rreth 35 mijë fëmijë. Po ashtu, kemi përmirësuar ndjeshëm laboratorët e shkencave në shkollat parauniversitare, me pajisje dhe mjete didaktike bashkëkohore,” tha Manastirliu.

Fokus i veçantë për formimin e mësuesve

Një tjetër element kyç i reformës është zhvillimi profesional i mësuesve, në bashkëpunim me universitetet publike dhe pedagogët.

“Për herë të parë kemi përfshirë universitetet në programin e trajnimit të mësuesve. Viti 2024 ka qenë gur themeli për përmirësimin e kornizës kurrikulare dhe rritjen e cilësisë së formimit të mësuesve,” tha ministrja.

Arsimi në funksion të integrimit europian

Manastirliu nënvizoi se Shqipëria tashmë ka hapur negociatat për disa kapituj, përfshirë arsimin, dhe se kurrikula duhet të reflektojë kompetencat dhe vlerat e Bashkimit Europian, duke përgatitur nxënësit për tregun europian të punës dhe ekonominë digjitale.

“Në kurrikulën e re do të integrohen kompetencat europiane, aftësitë ndërkulturore dhe bashkëpunimi rajonal. Kjo është e domosdoshme në rrugën tonë drejt BE-së,” u shpreh ajo.

Ministria e Arsimit ka nisur një proces gjithëpërfshirës rishikimi të kurrikulave bërthamë dhe programeve lëndore, ku janë përfshirë ekspertë vendas e ndërkombëtarë, mësues, institucione akademike dhe partnerë zhvillimi. Qëllimi është ndërtimi i një sistemi arsimor që i përgjigjet sfidave të së ardhmes dhe përgatit qytetarë të rinj europianë.