Tue, Jul 1, 2025

Europa Jugore përfshihet nga vala e parë ekstreme e të nxehtit, temperatura deri në 46 gradë! Disa shtete shpallin alarmin

  • PublishedJuly 1, 2025

Europa Jugore përfshihet nga vala e parë ekstreme e të nxehtit, temperatura deri në 46 gradë! Disa shtete shpallin alarmin

Europa Jugore është përfshirë nga vala e parë ekstreme e të nxehtit për këtë verë, me temperatura që kanë arritur deri në 46.6°C në disa rajone të Spanjës dhe Portugalisë, duke vendosur potencialisht rekorde të reja për muajin qershor. Vala pritet të përfshijë edhe pjesë të Gjermanisë, ku parashikimet tregojnë temperatura deri në 40°C deri ditën e mërkurë.

Sipas meteorologëve, situata lidhet me fenomenin e njohur si “kupola e nxehtësisë” (“heat dome”), një zonë e presionit të lartë atmosferik që qëndron pezull mbi një territor për disa ditë apo javë. Ky fenomen vepron si një kapak që bllokon nxehtësinë poshtë tij, duke rritur temperaturat dhe thatësinë. Toka e ngrohur thith më shumë rreze dielli, duke përkeqësuar më tej efektin.

Kupola termike gjithashtu pengon formimin e reve dhe hyrjen e masave të ftohta ajrore, duke shkaktuar rritje të vazhdueshme të temperaturave dhe kushte për qiell të kthjellët, por me rrezik të lartë shëndetësor dhe mjedisor.

“Vrasësi i heshtur” që prek më të dobëtit

Shkencëtarët i quajnë valët e të nxehtit “vrasës të heshtur”, pasi ato çojnë në një rritje të ndjeshme të vdekjeve, veçanërisht tek të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe personat me sëmundje kronike. Gratë shtatzëna janë gjithashtu në rrezik të shtuar për komplikacione dhe lindje të parakohshme.

Alarmi në disa shtete evropiane

Portugali – Në qytetin Mora, temperatura ka arritur në 46.6°C, një nivel që mund të shënojë rekord për muajin qershor. Autoritetet kanë lëshuar paralajmërime të nivelit të lartë për disa rajone të vendit.

Itali – Spitalet në rajone si Toskana kanë raportuar një rritje me 20% të rasteve të shtrimeve për shkak të goditjeve nga i nxehti. Qytetarët janë këshilluar të shmangin qëndrimin në diell nga ora 11:00 deri në 18:00.

Francë – Rreth 88% e territorit është nën paralajmërim portokalli për nxehtësi ekstreme. Afro 200 shkolla janë mbyllur përkohësisht, ndërsa qeveria ka kërkuar nga bizneset që të rishikojnë oraret e punës për të mbrojtur punonjësit.

Gjermani – Përveç rritjes së temperaturave, është shtuar edhe rreziku për zjarre në pyje për shkak të thatësirës. Disa qytete kanë vendosur masa kufizuese për përdorimin e ujit, ndërsa autoritetet monitorojnë situatën me shqetësim.

Ekspertët paralajmërojnë se valët e nxehtësisë mund të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe të forta si pasojë e ndryshimeve klimatike, duke kërkuar masa të menjëhershme për përshtatje dhe mbrojtje ndaj popullatës.