Tue, Jul 1, 2025

Arsimi i lartë në Shqipëri, koha për një ligj të ri

  • PublishedJuly 1, 2025

Arsimi i lartë në Shqipëri, koha për një ligj të ri

PROF. DR. GJOKË ULDEDAJ

Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar për të ardhmen e saj në arsimin e lartë. Ndërsa vendi synon integrimin e plotë në Bashkimin Evropian, arsimi i lartë mbetet një nga fushat që kërkojnë vëmendje të thellë dhe reformim të guximshëm. Nevoja për një rishikim tërësor të ligjit për arsimin e lartë nuk është më një çështje diskutimi, por një domosdoshmëri që e kërkon koha.

KONTEKSTI AKTUAL DHE SFIDAT E SISTEMIT TË ARSIMIT NË SHQIPËRI

Sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian, Shqipëria ndodhet në një nivel përgatitjeje mesatare në fushën e arsimit. Është bërë progres në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021–2026, por cilësia dhe gjithëpërfshirja ende kërkojnë përmirësim. Një zhvillim pozitiv ka qenë edhe “Dokumenti i Politikave për Arsimin e Lartë 2030”, që synon rritjen e cilësisë dhe përafrimin me standardet e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) dhe të Zonës Evropiane të Kërkimit Shkencor (ERA). Ligji aktual, i miratuar në vitin 2015, ka shërbyer si një bazë fillestare, por zhvillimet teknologjike, nevojat e tregut të punës, profili i ri i studentëve dhe ndryshimi i misionit të universiteteve kërkojnë një qasje më të re, më fleksibël dhe më moderne.

AUTONOMIA UNIVERSITARE SI PARAKUSHT PËR CILËSINË AKADEMIKE

Autonomia universitare nuk duhet të mbetet thjesht një term formal, por të jetë një realitet funksional. Universitetet duhet të kenë kompetenca të qarta në fushën akademike, financiare dhe organizative. Ato duhet të fitojnë më shumë liri në hartimin e programeve studimore, në menaxhimin e burimeve dhe në politikat e personelit. Kjo qasje mbështetet edhe nga “Karta Evropiane për Autonominë Universitare”, e cila e trajton autonominë jo si privilegj, por si kusht të domosdoshëm për cilësinë akademike.

NJË LIGJ QË VENDOS PARIME, JO QË MBYT ME PROCEDURA

Ligji i ri duhet të fokusohet te parimet themelore si: liria akademike, cilësia, integriteti dhe zhvillimi afatgjatë. Detajet procedurale duhet të delegohen tek aktet nënligjore, për të siguruar fleksibilitet dhe përditësim më të shpejtë me ndryshimet globale. Ky ndryshim do t’u japë universiteteve “oksigjenin” që u mungon: më shumë autonomi, më shumë fleksibilitet dhe më shumë mbështetje për të reaguar ndaj sfidave të kohës.

NDËRKOMBËTARIZIMI – NGA ASPIRATË NË INSTRUMENT LIGJOR

Ligji i ri duhet të parashikojë mekanizma konkretë për të nxitur ndërkombëtarizimin. Deri më tani, ai ka qenë i pranishëm vetëm në mënyrë të nënkuptuar. Nevojiten instrumente ligjore që lehtësojnë bashkëpunimet ndërkombëtare, mobilitetin e studentëve dhe stafit, si dhe pjesëmarrjen në projekte të përbashkëta akademike dhe kërkimore. Një model që duhet të shqyrtohet është ai i federatave universitare, siç funksionojnë në Mbretërinë e Bashkuar: University of London, LSE, King’s College etj.. Ky model ruan autonominë institucionale, por nxit bashkëpunimin në fusha strategjike. Një model i tillë mund të ndihmojë edhe universitetet shqiptare të rrisin ndikimin dhe tërheqjen ndërkombëtare, pa cenuar pavarësinë e tyre. Kjo është rruga për ta bërë arsimin tonë të krahasueshëm dhe konkurrues në nivel europian.

RISTRUKTURIMI I KURRIKULAVE DHE MODELI “MAJOR–MINOR”

Ristrukturimi i kurrikulave duhet të parashikohet qartë në ligj. Një element që buron nga “Dokumenti i Politikave për Arsimin e Lartë 2030” është përfshirja e modelit të diplomave “major–minor”. Ky model, i përdorur gjerësisht në vendet e Bashkimit Evropian, i jep studentit mundësinë të ndërtojë një profil multidisiplinor, duke e bërë më të përgatitur për tregun e punës dhe më fleksibël për sfidat e së ardhmes. Ligji duhet të krijojë kushtet për zbatimin e këtij modeli dhe të lehtësojë ristrukturimin e kurrikulave në përputhje me standardet evropiane.

CILËSIA AKADEMIKE, THELBI I ÇDO REFORME TË QËNDRUESHME

Sigurimi i cilësisë është hallka kyçe në çdo sistem arsimor. Sipas raportit të zbatimit të “Procesit të Bolonjës” për vitin 2024 dhe treguesve të Kartelës së Performancës, për fazën e zhvillimit të sistemit të sigurimit të cilësisë së jashtme në vitin akademik 2022-2023, Shqipëria kategorizohet me ngjyrë “portokalli”. Kjo situatë tregon se sistemi aktual ka nevojë për ndryshime të domosdoshme në kuadrin ligjor dhe nënligjor, në mënyrë që të avancojë drejt një sistemi të plotë dhe efektiv të sigurimit të jashtëm të cilësisë. Ligji duhet të garantojë që të gjitha institucionet e arsimit të lartë të jenë subjekt i vlerësimeve të rregullta nga agjenci të akredituara që respektojnë Standardet dhe Udhëzimet Evropiane për Sigurimin e Cilësisë (ESG) dhe që janë pjesë e EQAR-it. Kjo është mënyra më e sigurt për të rritur besimin publik dhe për të garantuar një diplomë, që njihet dhe respektohet si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

NJOHJA E DIPLOMAVE DHE KREDITEVE: NGA PENGESË, NË DETYRIM LIGJOR

Ligji duhet të trajtojë njohjen e diplomave dhe krediteve jo si një mundësi, por si një detyrim ligjor. Sipas raportit të zbatimit të “Procesit të Bolonjës” për vitin 2024, njohja automatike në nivel sistemi për qëllime akademike është një element thelbësor për integrimin dhe lëvizshmërinë e studentëve në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA). Për të arritur kategorinë “jeshile”, që tregon zbatim të plotë të konceptit të njohjes automatike – vendet duhet të eliminojnë procedurat e veçanta dhe të krijojnë mekanizma transparentë që lejojnë njohjen e barabartë të diplomave dhe krediteve. Aktualisht, Shqipëria renditet në kategorinë e kuqe, çka nënkupton se sistemi kërkon procedura të zgjatura dhe joefikase për çdo rast. Kjo përbën pengesë për mobilitetin akademik dhe profesional. Për të përmirësuar situatën, nevojitet harmonizim i kritereve të njohjes, rritje e kapaciteteve institucionale dhe përmirësim i bashkëpunimit ndërkombëtar brenda kuadrit të “Procesit të Bolonjës” dhe Zonës Evropiane të Kërkimit Shkencor (ERA).

FINANCIMI: NJË MODEL I DREJTË, I QËNDRUESHËM DHE I LIDHUR ME PERFORMANCËN

Asnjë reformë nuk mund të ketë sukses pa një model të qëndrueshëm financimi. Ligji i ri duhet të garantojë një sistem, ku financimi të lidhet me performancën akademike, por të garantojë njëkohësisht barazi në aksesin në arsim për studentët në nevojë. Nuk mjafton që universitetet të kenë liri, atyre duhet t’u sigurohet edhe mjeti financiar për të përmbushur misionin e tyre akademik dhe shoqëror. Ky aspekt duhet të rregullohet qartë me ligj dhe jo të lihet në dorë të praktikave të rastësishme apo diskrecionit institucional.

NGA NJË LIGJ TEKNIK, NË NJË LIGJ VIZIONAR

Shqipëria ka nevojë për një ligj të arsimit të lartë që frymëzon, jo vetëm që rregullon. Ai duhet të vendosë universitetin në qendër të zhvillimit kombëtar, të jetë fleksibël, i orientuar drejt cilësisë dhe i harmonizuar me standardet evropiane.

Kjo nënkupton:

-Autonomia universitare nuk duhet të jetë një term ligjor, por një realitet funksional.

-Ministria e Arsimit të mos jetë organ ekzekutiv i vendimeve akademike, por garant i politikave kombëtare.

-Universitetet duhet të kenë besim të plotë për të marrë vendime, për të krijuar, për të inovuar dhe për t’u përshtatur me kohën.

Siç thoshte John Dewey, filozofi i njohur amerikan: “Edukimi nuk është përgatitje për jetën, edukimi është vetë jeta”. Le të ndërtojmë një ligj për arsimin e lartë që garanton liri akademike të plotë dhe është plotësisht i integruar në standardet evropiane.

* Autori, rektor i Kolegjit Universitar “Qiriazi”