“Ai ka një mision sot për të shpëtuar demokracinë në Shqipëri!” – Tritan Shehu: Pse duhet të japë dorëheqjen Berisha? Kush nuk e do, kërkon dobësimin e opozitës
Deputeti demokrat Tritan Shehu, i ftuar në “News 24” këtë mesditë, ka komentuar procesin gjyqësor në GJKKO ndaj Sali Berishës, në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-klubit “Partizani” gjatë kohës kur ky i fundit ishte në krye të qeverisë.
Sipas Shehut, Berisha prej vitesh është subjekt i një komploti dhe i një izolimi politik, të cilin, siç thekson ai, ka arritur ta çajë “edhe nga kati i tetë i banesës ku qëndron i izoluar”.
Deputeti u ndal veçanërisht te qëndrimi i Berishës ndaj proceseve zgjedhore në vend, duke theksuar se ai po denoncon atë që e konsideron si farsë elektorale, e ndikuar, sipas tij, nga një “narko-qeveri”. Shehu përmendi edhe fjalimin e Berishës në Asamblenë e OSBE-së në Portugali, ku – sipas tij – është ngritur zëri për mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ai shtoi më tej se regjimet, në forma të ndryshme, manipulojnë rezultatet elektorale dhe se rrëzimi i tyre nuk mund të ndodhë përmes një procesi formal votimi. Në këtë kontekst, Shehu hodhi poshtë çdo ide për dorëheqjen e Berishës.
Tritan Shehu: Prej vitesh, Sali Berisha ndodhet në një komplot. Berishën e izoluan në shtëpi dhe ai e çau izolimin nga kati i tetë, nga banesa ku ai jeton. Berisha po vazhdon të denoncojë farsën elektorale. Zgjedhjet brenda vendit, por edhe për emigrantët ishin të deformuara. Zgjedhjet janë deformuar nga narko-qeveria. Ne kemi nevojë për zgjedhje të lira dhe Berisha e ka thënë këtë edhe në Asamblenë e OSBE-së në Portugali. Regjimet nuk lejojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Regjimet në një formë apo tjetër deformojnë rezultatin e zgjedhjeve. Një regjim nuk shembet me një proces votimi. Pse duhet të japë dorëheqje Sali Berisha? Berisha është përfshirë në një proces për të denoncuar zgjedhjet e pandershme në vend. Ai ka një mision sot për të shpëtuar demokracinë në Shqipëri. Ata që nuk duan Berishën, duan të dobësojnë luftën opozitare, që PD po realizon nën drejtimin e Berishës, për të nxjerrë në pah deformimin zgjedhor në Shqipëri.