Rama nis takim dyditor në Cërrik me kryebashkiakët! Në fokus bujqësia, agroturizmi dhe zhvillimi rural
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Cërrik, ku ka nisur një takim dyditor me kryetarët e 7 bashkive, ministren e Bujqësisë Anila Denaj, përfaqësues të sektorit blegtoral, si dhe aktorë të tjerë të përfshirë në agroturizëm dhe agro-përpunim.
Ky forum diskutimi ka në qendër sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të bujqësisë dhe turizmit rural në Shqipëri, me qëllim forcimin e ekonomisë lokale dhe rritjen e mundësive të punësimit në zonat rurale.
Gjatë takimit pritet të diskutohen:
– Mekanizmat e financimit dhe mbështetjes për fermerët;
– Zhvillimi i agroturizmit dhe përfshirja e bujqësisë në ofertën turistike;
– Nxitja e blegtorisë, peshkimit dhe agro-përpunimit;
– Modelet e suksesshme të bashkëpunimit mes qeverisë dhe pushtetit vendor.
Takimi do të vijojë edhe nesër dhe synon të shërbejë si platformë dialogu dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, në funksion të përgatitjes së politikave të reja për sezonin bujqësor dhe turistik të vitit të ardhshëm.