Zbardhet formulari për pension italian! Çfarë duhet të dini për të përfituar sipas marrëveshjes Shqipëri-Itali
Një korriku shënon një ngjarje historike për emigrantët shqiptarë, pasi ka nisur zbatimi i marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të pensioneve me Italinë.
Të gjithë shqiptarët që kanë punuar në Itali do të mund të bashkojnë vitet e sigurimeve në 2 vendet dhe të përftojnë pension në bazë të totalit të viteve të kontributeve. Të njëjtat të drejta do t’i kenë edhe italianët që kanë punuar apo punojnë në Shqipëri. Të gjithë qytetarët mund të bashkojnë periudhat e sigurimit në të dy shtetet në mënyrë që të mos humbasin asnjë kontribut, pavarësisht kohës dhe vendit ku janë derdhur. Nëse një shqiptar aplikon në Itali për lidhjen e pensionit, do të jenë institucionet italiane që do të shkëmbejnë informacion me institucionet shqiptare për të bashkuar periudhat e sigurimeve të personit.
Përfituesit do të mund ta marrin pensionin në vendin ku jetojnë. Sipas vendimit të senatit italian, kostoja për pensionet e shqiptarëve në vitin 2025 përllogaritet në 51.6 milionë euro dhe deri në vitin 2032 përllogaritet të arrijë në 270 milionë euro. Nga kjo marrëveshje mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet apo sigurimet për papunësinë. Po të njëjtat përfitime i kanë edhe afro 4 mijë italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri. Për të marrë pension në Itali duhen minimalisht 20 vite punë, ndërsa në Shqipëri duhen minimalisht 15 vite. Por, me këtë marrëveshje të gjithë ata që nuk plotësojnë kushtin minimal të viteve të punës, kanë mundësi të përfitojnë sepse vitet e punës bashkohen.
BASHKIMI I VITEVE TË PUNËS
Periudhat e sigurimit të punës në Shqipëri dhe Itali bashkohen, për të mundësuar përfitimin e të drejtave nga sigurimet shoqërore – me kusht që periudhat të mos mbivendosen. Por për profesione specifike, merren parasysh vetëm periudhat e punës që janë bërë në të njëjtin profesion ose në një profesion të ngjashëm, edhe nëse vendi tjetër (si Italia) nuk ka një skemë të veçantë për atë profesion. (Për shembull, nëse personi ka punuar minator nëntoke në Shqipëri dhe ka periudha sigurimi në këtë profesion edhe në Itali, për efekt përfitimi të pensionit të pleqërisë si minatorë, periudhat në të dy shtetet në këtë profesion bashkohen).
Pensioni llogaritet sipas legjislacionit të njërit shtet. Një person që plotëson kushtet e pensionit në një shtet, pa nevojën e bashkimit të periudhave të sigurimit nga shteti tjetër, pensioni i llogaritet vetëm mbi bazën e atyre periudhave (psh., nëse ka plotësuar 15 vite periudha sigurimi në Shqipëri, periudhat e realizuara në Itali nuk merren parasysh). Pensioni llogaritet sipas legjislacionit të të dyja shteteve me bashkimin e periudhave. Nëse nuk mjaftojnë periudhat për përfitim në një shtet, totalizimi i periudhave në të dy vendet lejon përfitimin e pensionit proporcional. Pensioni nuk llogaritet nëse periudha e sigurimit në një shtet është më pak se 1 vit (52 javë), por kjo periudhë mund të bashkohet me periudhat e realizuara në shtetin tjetër, vetëm nëse personi ka të drejtë për përfitim në atë shtet. Për shembull, nëse një person ka plotësuar 14 vjet e 1 muaj periudhë sigurimi në Shqipëri dhe 11 muaj në Itali, ai do të përfitojë vetëm pension shqiptar dhe jo italian.
Në rastet kur pensioni i përfituar është më i ulët se minimumi i garantuar, shteti përkatës mund të japë një shtesë vetëm nëse përfituesi banon në atë shtet. Nëse një personi i ka lindur e drejta për pension sipas legjislacionit shqiptar apo legjislacionit italian, merren parasysh edhe periudhat e sigurimit në një vend të tretë, nëse Shqipëria dhe Italia kanë marrëveshje për sigurimet shoqërore me atë vend. Përfitimet në para (si pensionet) që burojnë nga periudha të sigurimit në Shqipëri apo Itali mund të paguhen edhe jashtë vendit. Kushtet e pagesës janë të njëjta me ato që aplikohen për qytetarët rezidentë në shtetin që e paguan përfitimin. Përfitimet që burojnë nga periudha të sigurimit në Shqipëri apo Itali mund të paguhen edhe jashtë vendit. Kushtet e pagesës janë të njëjta me ato që aplikohen për qytetarët rezidentë në shtetin që e paguan përfitimin.
APLIKIMI PËR PENSION
Pensionet, sipas legjislacionit të të dyja vendeve, jepen vetëm me kërkesë. Për këtë arsye, data e dorëzimit të kërkesës është thelbësore për fillimin e procedurës së përfitimit dhe të drejtën e pagesës. Në zbatim të marrëveshjes dypalëshe, një kërkesë e paraqitur për pension në Shqipëri, vlen njëkohësisht edhe si kërkesë për pension në Itali, dhe anasjelltas nëse e drejta për pension ka lindur njëkohësisht në të dy vendet.
Duke qenë se mosha e daljes në pension dhe kushtet për përfitim mund të jenë të ndryshme në secilin vend, qytetarët duhet të informohen më herët nëse plotësojnë kriteret për një përfitim nga skemat e pensioneve si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali. Në tabelën bashkëngjitur gjeni të përshkruar në vija të përgjithshme kushtet për përfitimin e një pensioni sipas legjislacionit italian dhe legjislacionit shqiptar, ilustruar me një rast konkret përfitimi. Kështu, personat e interesuar të mund të vlerësojnë nëse i plotësojnë kriteret për përfitim përpara se të paraqesin kërkesën. Punëdhënësi, i punësuari ose i vetëpunësuari, duhet të paraqesë kërkesë për pajisje me formular mbulimi. Aplikimi ose kërkesa kryhet nëpërmjet shërbimit postar, në adresën: Instituti i Sigurimeve Shoqërore – Rruga e Durrësit, nr. 83, Tiranë.
Deri më 2032, mbulimi për pensionistët shqiptarë rreth 270 milionë euro
Edhe pse kjo marrëveshje duhej të ishte realizuar më herët, ajo vjen si një hap domethënës në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Nga tani e tutje, asnjë vit pune nuk do të shkojë i humbur, siç ndodhte më parë kur kontributet digjeshin në mungesë të një marrëveshjeje dypalëshe. “Ky është një moment i rëndësishëm për të dy vendet, sepse garanton mbrojtjen e punëtorëve. Kjo është një marrëveshje administrative që krijon një siguri që më parë mungonte. Komuniteti italian ka qenë gjithmonë mbështetës i sektorit social dhe ekonomik në vendin tonë.
Marrëveshja është shumë pozitive, sepse parashikon një mbulim të plotë të kontributeve. Më në fund, edhe ata që kanë punuar në Shqipëri dhe Itali do të kenë të drejtën të përfitojnë pension, një e drejtë themelore për secilin prej nesh.” Sipas të dhënave nga Senati Italian, vetëm për vitin 2025, kostot e parashikuara për pensionet e shqiptarëve do të jenë 51.6 milionë euro. Deri në vitin 2032, kjo shifër pritet të arrijë në rreth 270 milionë euro.
“Shumë shqiptarë ndodheshin në situata të vështira. Merrnin një çek të pjesshëm ose përfitonin nga skema të kufizuara për riatdhesim, që i detyronin të ktheheshin në vendin e origjinës. Kjo i penalizonte qytetarët që kishin vite të tëra në Itali. Tashmë, që nga 1 janari 1997, shqiptarët do të trajtohen në bazë të parimit të barazisë, pa asnjë lloj diskriminimi – njësoj si çdo shtetas tjetër, si në të drejta ashtu edhe në detyrime.” Për të përfituar pension në Itali kërkohen të paktën 20 vite punë, ndërsa në Shqipëri mjaftojnë 15. Por falë kësaj marrëveshjeje, ata që nuk e plotësojnë kushtin në një vend, mund të kombinojnë vitet nga të dy shtetet dhe të përfitojnë gjithsesi pension.
/Gazeta Panorama