Zbatimi i marrëveshjes për pensionet Shqipëri-Itali! Kreu i ISSH sqaron procedurat: Si funksionon në praktikë dhe si përfitojnë qytetarët
Kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Astrit Hado, ka sqaruar në detaje mënyrën se si funksionon marrëveshja dypalëshe e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila ka hyrë tashmë në fuqi më 1 korrik 2025.
Hado, ka bërë me dije se për herë të parë formularët ndërmjet dy institucioneve homologe do të shkëmbehen në mënyrë elektronike, çka pritet të përshpejtojë ndjeshëm procesin e përfitimit të pensioneve për qytetarët.
Sipas tij, tashmë është përgatitur edhe një udhëzues i posaçëm për zbatimin e marrëveshjes, i cili u shërben si punonjësve të institucioneve ashtu edhe qytetarëve, për të kuptuar se si duhet të aplikojnë në varësi të rastit që kanë.
Hado theksoi se qytetarët shqiptarë që kanë mbushur moshën e pensionit 65 vjeç për burrat dhe 61 vjeç e 10 muaj për gratë dhe nuk kanë të paktën 15 vite sigurime në Shqipëri, duhet të aplikojnë për pension pleqërie përmes platformës e-Albania, në seksionin përkatës ku deklarojnë vitet e punës në Itali.
Ai sqaroi gjithashtu se bashkimi i periudhave të sigurimeve bëhet vetëm për të plotësuar kriteret ligjore, ndërsa çdo shtet llogarit pensionin bazuar vetëm në vitet e sigurimit të paguara brenda territorit të tij.
“Nëse një qytetar ka 14 vite në Shqipëri dhe ka 19 vite në Itali, nuk merr pension në asnjë vend. Në Shqipëri nuk plotëson kriterin e 15 viteve, në Itali nuk e plotëson kriterin e 20 viteve. Atëherë bashkimi i këtyre periudhave e vendos në kushtet ligjore në të dy vendet. Kur vjen puna tek llogaritja, ne do ta llogaris pensionin sipas ligjit shqiptar, vetëm për 14 vitet që ka paguar sigurime, ndërsa Italia do ta llogarisë sipas ligjit të vet vetëm për 19 vite. Të mos keqkuptohen shqiptarët që vitet në Itali do përdoren për llogaritje edhe këtu dhe atje. Apo edhe vitet që kanë në Shqipëri do bashkohen me ato të Italisë dhe do konsiderohen sikur janë në Itali. Jo. Do bashkohen periudhat kontributive vetëm për të plotësuar kriteret ligjore dhe secili vend pastaj do llogarisë pensionin sipas ligjit të vet bazuar në vitet e sigurimit që ka në secilin vend. Pra do marrë dy pjesë pensioni një në Shqipëri për aq vite sa ka, dhe në Itali për aq vite sa ka”, tha Hado.
Pjese nga deklarata
Astrit Hado: Marrëveshja që ka hyrë në fuqi është gati. Që do të thotë të gjithë formularët janë dakordësuar me kolegët ne Itali, janë standardizuar dhe për herë të parë ne do të bëjmë shkëmbimin elektronik të formularëve. Që do të thotë se i gjithë komunikimi mes dy institucioneve nuk do jetë në letër, por do jetë komunikim elektronik. Pra do të shkurtohet koha e shkëmbimit të formularëve midis dy institucioneve.
Kemi hartuar edhe udhëzuesin që është edhe për punonjësit si do zbatohet marrëveshje, por edhe për qytetarët si do të aplikojnë në varësi të rastit që kanë.
Po ju them ata qytetarë shqiptarë që kanë mbushur moshën për pension, që është 65 vjet për burrat dhe 61 vjet e 10 muaj për gratë dhe nuk kanë mjaftueshëm vite sigurimi, nuk kanë 15 vjet sigurimi, duhet të aplikojmë për pension pleqërie në e-albania, është një rubrike e veçantë, që thotë nëse ke vite punë në një shtet tjetër. Atje do të klikojnë që kam vjetërsi në Itali dhe do japin të dhënat. Në bazë të këtyre të dhënave ne ja kërkojmë Italisë. Nuk është e nevojshme që qytetarët pasi të bëjnë aplikimin tek ne të vijnë të kërkojnë dokumentacion dorazi, sepse komunikimi bëhet institucion me institucion. Nuk është e nevojshme të paraqiten tek sigurimet për të marrë këto dokumente dorazi, sepse kjo do vlerë vetëm për informacionin e tyre. Nëse këto dokumente i çojnë në Itali, kolegët italiane do ti kërkojnë zyrtarisht përmes formularit të dakordësuar. Pra është një punë e dyfishtë dhe e paefektshme. Kështu që të bëjnë aplikimin në Shqipëri ose Itali sipas rastit dhe për këtë të konsultohen me udhëzuesin që kemi publikuar në faqen zyrtare dhe ta bëjnë kërkesën aty ku duhet me qëllim që koha e shërbimit të jetë e shkurtër dhe mos ketë ngatërresa.
Në rastin kur një qytetar shqiptar pavarësisht se jeton në Shqipëri apo Itali dhe ka eksperiencë në Itali, Gjermani, Turqi apo në një vend që ne kemi marrëveshje nuk ka nevojë për bashkim periudhash, sepse me 15 vite i plotëson kriteret për të marrë pension. Ne me 15 vitet e deklaruara në Shqipëri ne jemi të aftë të lidhim pensionin, kështu që nuk ka nevoje për bashkim. Bashkimi i periudhave bëhet vetëm për të plotësuar kriteret ligjore, pastaj secili vend e llogarit pensionin sipas ligjit të vet dhe bazuar vetëm në vitet e sigurimit që ka në atë vend.
Nëse një qytetar ka 14 vite në Shqipëri dhe ka 19 vite në Itali, nuk merr pension në asnjë vend. Në Shqipëri nuk plotëson kriterin e 15 viteve, në Itali nuk e plotëson kriterin e 20 viteve. Atëherë bashkimi i këtyre periudhave e vendos në kushtet ligjore në të dy vendet. Kur vjen puna tek llogaritja, ne do ta llogaris pensionin sipas ligjit shqiptar, vetëm për 14 vitet që ka paguar sigurime, ndërsa Italia do ta llogarisë sipas ligjit të vet vetëm për 19 vite. Të mos keqkuptohen shqiptarët që vitet në Itali do përdoren për llogaritje edhe këtu dhe atje. Apo edhe vitet që kanë në Shqipëri do bashkohen me ato të Italisë dhe do konsiderohen sikur janë në Itali. Jo. Do bashkohen periudhat kontributive vetëm për të plotësuar kriteret ligjore dhe secili vend pastaj do llogarisë pensionin sipas ligjit të vet bazuar në vitet e sigurimit që ka në secilin vend. Pra do marrë dy pjesë pensioni një në Shqipëri për aq vite sa ka, dhe në Itali për aq vite sa ka.