Thu, Jul 3, 2025

Fatmir Mediu në Asamblenë Parlamentare të OSBE: “Mbrojtja euroatlantike, prioritet për sigurinë e Shqipërisë dhe rajonit”

  • PublishedJuly 2, 2025

Fatmir Mediu në Asamblenë Parlamentare të OSBE: “Mbrojtja euroatlantike, prioritet për sigurinë e Shqipërisë dhe rajonit”

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë fjalës së tij në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, theksoi rëndësinë jetike të bashkëpunimit brenda aleancës euroatlantike për garantimin e sigurisë së Shqipërisë dhe të gjithë rajonit.

Ai paraqiti dhe mbështeti amendamentet e Senatit dhe Kongresit Amerikan, të propozuara nga Senatori John Cornyn dhe bashkësponsorizuara nga Senatori Wicker dhe Kongresmeni Smith, si një qasje strategjike për forcimin e sigurisë në Evropë.

“Mbrojtja euroatlantike është detyra kryesore për sigurinë tonë,” deklaroi Mediu, duke theksuar nevojën për unitet, ndarje të barrës financiare në kuadër të NATO-s dhe bashkëpunim të ngushtë SHBA–BE. Ai përmendi që financimi i mbrojtjes duhet të arrijë deri në 5% të PBB-së, me 3.5% të dedikuar për investime bazë.

Mediu vlerësoi rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Amerikan, si dhe angazhimin e liderëve evropianë, përfshirë Kancelarin Friedrich Merz, për forcimin e aleancës dhe ndërtimin e një Evrope më të sigurt.

Në fund, Mediu theksoi:

“Duhet të përqendrohemi në bashkëpunim dhe jo në përçarje brenda aleancës dhe mes vendeve të rajonit të OSBE-së, në mënyrë që të kemi një rajon më të qëndrueshëm dhe më të sigurt.”

Fatmir Meidu: Edhe unë jam një nga ata që mbështesin këtë amendament të paraqitur nga Senatori Cornyn, të bashkësponsorizuar nga Senatori Wicker dhe Kongresmeni Smith. Personalisht e mbështes këtë amendament sepse kam besim të fortë në sigurinë euroatlantike dhe aleancën euroatlantike. Samiti foli qartë për rëndësinë e bashkëpunimit brenda Aleancës së Atlantikut të Veriut në ndarjen e barrës, përfshirë financimin e buxhetit të mbrojtjes deri në 5%, nga të cilat 3.5% në investime bazë për mbrojtjen, çka jep një perspektivë të re për sigurinë evropiane dhe aleancën në tërësi.

U vlerësua gjithashtu edhe lidershipi i Shteteve të Bashkuara dhe i Presidentit Amerikan nga çdo lider evropian. Mund të përmend edhe Kancelarin Merz dhe të tjerë, të cilët janë zotuar të forcojnë aleancën dhe të punojnë së bashku për ta bërë Evropën më të sigurt.

Gjithashtu dua të përgëzoj veprimet kundër regjimit të Iranit, të cilat, siç e kam përmendur edhe më herët, do të ndihmojnë shumë për një Evropë më të sigurt.

Duke e përmbyllur, besoj se politikat e SHBA-së, BE-së dhe vendeve të tjera euroatlantike që punojnë dorë për dore për çështjet e sigurisë janë shumë të rëndësishme. Duhet të përqendrohemi në bashkëpunim dhe jo në përçarje brenda aleancës dhe mes vendeve të rajonit të OEC-së, në mënyrë që të kemi një rajon më të qëndrueshëm dhe më të sigurt. Faleminderit!