Thu, Jul 3, 2025

Hetimet zbulojnë shkëmbim zjarri mes 58-vjeçarit dhe hajdutëve shqiptarë, ja çfarë ndodhi në vilën e biznesmenit italian natën kur mbeti i vrarë Rivaldo Rusi! Zbardhen detajet

  • PublishedJuly 2, 2025

Hetimet zbulojnë shkëmbim zjarri mes 58-vjeçarit dhe hajdutëve shqiptarë, ja çfarë ndodhi në vilën e biznesmenit italian natën kur mbeti i vrarë Rivaldo Rusi! Zbardhen detajet

Pesë gëzhoja janë gjetur në vilën luksoze në Foria di Centola, në Cilento të provincës së Salernos, ku më 22 qershor ndodhi një ngjarje e rëndë kriminale. Sipërmarrësi italian Aurelio Valiante, pronar i vilës, qëlloi për vdekje një nga tre hajdutët që kishin hyrë për ta grabitur dhe plagosi një tjetër, ndërsa personi i tretë arriti të largohej.

Sipas hetimeve të deritanishme të policisë italiane, tre hajdutët, të gjithë shqiptarë, kishin arritur të hyjnë në vilë dhe të merrnin para, sende me vlerë dhe një armë që ndodhej brenda një kasaforte. Kjo armë rezulton të ishte në pronësi të ligjshme të biznesmenit.

Zbulimet e para tregojnë për një shkëmbim zjarri mes palëve. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, 26-vjeçari Rivaldo Rusi u qëllua me një plumb të vetëm në shpinë, i cili rezultoi fatal. Trupi i tij u vendos në një fuçi vere dhe u gropos disa kilometra larg pronës.

Ndërkohë, 27-vjeçari Xhuljan Kurti, banues në Acerra, mbeti i plagosur nga një tjetër plumb që e kapi midis shpatullës dhe gjoksit. Ai ndodhet aktualisht nën arrest në një spital në Napoli. Hajduti i tretë është ende në arrati.

Biznesmeni Aurelio Valiante është vënë nën hetim me akuzat për vrasje dhe fshehje të kufomës. Ndërkohë, vëllai i tij, Marco Valiante, 50 vjeç, dyshohet se ka ndihmuar në zhdukjen e trupit të të riut shqiptar.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik italian dhe shqiptar. Pas incidentit, familja Valiante është transferuar në një vend të mbrojtur për shkak të kërcënimeve të shumta në rrjetet sociale, ku të afërm të viktimës kanë bërë thirrje për hakmarrje, madje vila e tyre është bastisur nga dhjetëra shqiptarë.

Përballë kostove të larta ligjore, familja italiane ka nisur një fushatë mbledhjeje fondesh. Në një njoftim të publikuar së fundmi, ata shprehin mirënjohje për mbështetjen e marrë:

“Ne e gjejmë veten të detyruar të përballemi me një proces ligjor të vështirë dhe të kushtueshëm. Në këtë situatë të dhimbshme, kemi ndjerë ngrohtësinë dhe solidaritetin e shumë njerëzve. Faleminderit për çdo kontribut, afërsia juaj na jep forcë dhe shpresë.”

Ndërkohë, hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa pritet që autoritetet italiane të sqarojnë më tej rrethanat e përplasjes me armë dhe përgjegjësitë ligjore të secilës palë.