Largimet e lojtarëve, Partizani humbet 30% të vlerës në treg
Partizani ka kaluar trancizion në një vit ku ka mbushur arkën me shitjen e lojtarëve. Shumat e përfituara e vendosin në krye të klubeve të Superiores.
Megjithatë, largimet kanë lënë shenjën e tyre. Vëzhgimi i “Panorama Sport”, nga data 1 korrik 2024 deri më 1 korrik 2025, tregon se Partizani ka humbur 30% të vlerës së mëparshme në treg, edhe pse nga fillimi i korrikut të kaluar janë ende 15 lojtarë që llogariteshin me ekipin e parë. Nga tabela e ndërtuar, bëhet fjalë për 13 lojtarë të rinj. Një pjesë të peshës tani e kanë të afruarit nga akademia. Malaj, Çipi, Atanaskoski, Martinez, Vata, Shanaj, Shala, Gudjufi, Garsia, Skuka, Isgandarli, Himallari, Qokthi nuk ishin pjesë e ekipit të parë të Partizanit 1 vit më parë.
VLERA- Kontingjenti i Partizanit aktual vlerësohet rreth 4.6 milionë euro nga “Transfermarkt”. Vlera mesatare për një futbollist përkthehet kështu në 165 mijë euro. Pjesë e tabelës së ndërtuar nga “Panorama Sport” janë lojtarët që morën pjesën në Ohër, por edhe Bintsuka që rinovoi apo Shala, Ismaili dhe Janjeva që vazhdojnë të dëmtuar. Më thjesht, janë 28 lojtarë që po llogariten aktualisht për ekipin e parë. Mbetet për t’u vendosur në vijim se cilët prej tyre do të humbasin turin e parë të Ligës së Konferencës.