Fri, Jul 4, 2025

OBSH kërkon rritje globale të taksave për pijet me sheqer, alkoolin dhe duhanin me 50% brenda 10 viteve

  • PublishedJuly 2, 2025

OBSH kërkon rritje globale të taksave për pijet me sheqer, alkoolin dhe duhanin me 50% brenda 10 viteve

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë thirrje për një rritje të ndjeshme të taksave ndaj produkteve që dëmtojnë shëndetin publik, si pijet e gazuara me sheqer, alkooli dhe duhani. Në një nismë të re të quajtur “3 deri në 35”, OBSH rekomandon rritjen me 50% të çmimeve të këtyre produkteve gjatë një periudhe 10-vjeçare, përmes politikave fiskale.

Kjo është nisma më e madhe e OBSH-së deri më sot në kuadër të zbatimit të të ashtuquajturave “taksa të mëkatit” (sin taxes), që synojnë përmirësimin e shëndetit publik dhe rritjen e të ardhurave për sistemet shëndetësore të vendeve anëtare.

“Taksa shëndetësore është një nga mjetet më të fuqishme që kemi në dorë. Është koha për veprim,” deklaroi Jeremy Farrar, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i OBSH-së për promovimin e shëndetit.

Sipas vlerësimeve të OBSH-së, zbatimi global i kësaj nisme mund të gjenerojë deri në 1 trilion dollarë të ardhura deri në vitin 2035, duke ndihmuar vendet në reduktimin e sëmundjeve kronike si diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe disa lloje të kancerit. Shembuj pozitivë në këtë drejtim janë Kolumbia dhe Afrika e Jugut.

Kjo është hera e parë që OBSH rekomandon një rritje të çmimeve për të tre kategoritë e produkteve njëkohësisht. Gjithashtu, organizata po shqyrton mundësinë që taksat të shtrihen edhe mbi ushqimet e përpunuara në masë.

Në një përllogaritje praktike, OBSH vlerëson se në një vend me të ardhura mesatare, çmimi i një produkti mund të rritet nga 4 në 10 dollarë deri në vitin 2035, përfshirë inflacionin. Deri tani, rreth 140 vende kanë zbatuar rritje të konsiderueshme taksash mbi duhanin.