Thu, Jul 3, 2025

‘Rrëmbeu’ mandatin e deputetes pas rinumërimit në Fier, Maldrita Bardho jep dorëheqjen duke rikthyer në Kuvend kolegen e saj Zegjine Çaushi: Do t’i lë me shumë kënaqësi vendin tim

  • PublishedJuly 2, 2025

‘Rrëmbeu’ mandatin e deputetes pas rinumërimit në Fier, Maldrita Bardho jep dorëheqjen duke rikthyer në Kuvend kolegen e saj Zegjine Çaushi: Do t’i lë me shumë kënaqësi vendin tim

Kandidatja e Partisë Socialiste, Maldrita Bardho, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetes, të cilin e fitoi pas rinumërimit të votave në qarkun e Fierit, ku arriti të sigurojë 10 vota më shumë se Zegjine Çaushi.

Përmes një deklarate në rrjetet sociale, Bardho njoftoi se do të vijojë të kontribuojë për Partinë Socialiste dhe për qytetin e Lushnjës, por jo si pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. Ajo theksoi se mandatin do t’ia lërë koleges dhe mikes së saj, Zegjine Çaushi.

“Do t’i lë me shumë kënaqësi vendin tim, koleges dhe mikes time, Zegjine Çaushi, Zegjinesë që ka luftuar ndoshta më shumë për skuadrën sesa për veten këtë fushatë, duke u vënë në shënjestër të sulmeve të pamerituara nga politika e vjetër, ajo e përbaltjes, që ka frikë nga zërat e rinj”, shkruan Bardho.

Ajo shtoi se ndarja prej vetëm 10 votash nuk i zbeh aspak kontributin e Çaushit, të cilën e konsideron si një përfaqësuese të denjë të të rinjve, veçanërisht të vajzave, në sallën e Kuvendit.

Reagimi i Maldrita Bardhos

Pasi ndoqa me vëmendje rinumërimin e votave për qarkun Fier, ndihem e lumtur dhe e nderuar që kontributi im i gjatë në Partinë Socialiste është vlerësuar nga bashkëqytetarët e mi dhe ata më kanë konsideruar të denjë për ti përfaqësuar në parlamentin shqiptar.

Megjithatë, unë kam marrë një vendim të rëndësishëm, që kam dëshirë ta ndaj me të gjithë, një vendim që e kam marrë përpara se të niste rinumërimi dhe që sot m’u përforcua përfundimisht.

Unë do të vijoj të kontribuoj për Partinë Socialiste dhe për Lushnjen, me të gjithë mundësitë e mia, por pa qenë pjesë e parlamentit shqiptar.

Do t’i lë me shumë kënaqësi vendin tim, koleges dhe mikes time, Zegjine Çaushi, Zegjinesë që ka luftuar ndoshta më shumë për skuadrën se sa për veten këtë fushatë, duke u vënë në shenjestër të sulmeve të pamerituara nga politika e vjeter, nga politika e përbaltjes që ka frikë nga zërat e rinj, Zegjinesë nga e cila sot më ndajnë vetëm 10 vota dhe që padyshim e meriton të jetë në sallën e Kuvendit, për të përfaqësuar të rinjtë, sidomos vajzat.

Ju falenderoj nga zemra thellësisht dhe do të jem aty për të gjithë ju që më votuat, me të njëjtin entuziazëm dhe forcë që vetëm ne socialistët kemi!